Kosova ka shtuar prodhimin e shumë produkteve bujqësore, e po ashtu ka zgjeruar rrjetin e përpunimit për të plotësuar nevojat e konsumit vendor, por edhe për të eksportuar në shumë vende. Një shembull për këtë është patatja, e cila tradicionalisht kultivohet nga shumë fermerë në Kosovë.
Të premten u shënua Dita e Patates, një ngjarje tradicionale për bujqësinë në Kosovë. Aktivitetet për këtë ditë u mbajtën në Pestovë të Vushtrrisë, ku morri pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Memli Krasniqi, i shoqëruar nga zëvendësministri Kurtan Kajtazi, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, fermerë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore.
Ministri Krasniqi tha se kultivimi i patates në Kosovë është një tregim i suksesit dhe ka ardhur si rezultat i një bashkëveprimi të institucioneve vendore me fermerët dhe kompanitë përpunuese. E për ngritjen e standardeve prodhuese e përpunuese të këtyre agrobizneseve, Ministria e Bujqësisë në vazhdimësi është duke dhënë mbështetjen e saj përmes granteve investive, të cilat po rriten nga viti në vit.
Ai tha se patatja është një nga produktet që për disa vjet ka arritur që të prodhohet mjaftueshëm për tregun vendor dhe me këtë produkt ai tregoi se po arrijmë që ti plotësojmë nevojat e konsumit vendor që është një qellim që synohet të arrihet edhe në produktet tjera, si pemët e perimet.
Ne e kemi mbështetur prodhimin e patates për vite me radhe, dhe kjo mbështetje do të vazhdojë përmes skemës së subvencioneve dhe granteve. Po ashtu po me gëzon fakti që si Kosovë kemi zhvilluar kompani që e furnizojnë tregun tonë me produkte cilësore të përpunimit të patates, tha ministri Krasniqi.
Ai ka treguar se do të vazhdojnë të mbështesin bujqësinë, pasi që ky sektor po kontribuon shumë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës dhe këtë vit vetëm nga buxheti i ministrisë, ai tha se kanë ndarë 46 milionë euro.
Ndërkaq, Elena Petrovka nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka thënë se sektori i bujqësisë është një sektor me vlerë për zhvillimin e Kosovës.
Edhe drejtues të Komunës së Vushtrrisë premtuan mbështetje nga pushteti lokal për avancimin e mëtejmë të bujqësisë në këtë komunë, në veçanti të patates si prodhim unik në këtë zonë. Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës sivjet kanë qenë të mbjella rreth 7000 hektarë me patate, ndërkaq vetëm në komunën e Vushtrrisë ishin rreth 2000 hektarë. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural çdo vit subvencionin fermerët kultivues të patates me nga 300 euro për hektar dhe mbështetet këtë sektor edhe përmes granteve investive.