Vendi ynë po përballet me një krizë të thellë në sektorin energjetik, e cila po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove për konsumatorët dhe izolimin e vendit nga tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, nga gjashtë linjat e transmisionit që lidhin Kosovën me vendet fqinje dhe tregun global, funksionale mbeten vetëm dy: një me Malin e Zi dhe një tjetër me Maqedoninë e Veriut. Linjat me Serbinë janë bllokuar pas pranimit të KOSTT-it në ENTSO, ndërsa ato me Shqipërinë janë vendosur nën kontrollin e platformës ALPEX, duke i bërë të papërdorshme për tregtinë ndërkombëtare. Kjo ka rezultuar në rritjen e ndjeshme të kostove të transportit të energjisë, që nga 2-3 milionë euro në vit, aktualisht kanë arritur në 30 milionë euro dhe pritet të shkojnë deri në 40 milionë euro vitin e ardhshëm. Çdo megavat energjie e importuar kushton deri në 400 euro vetëm për transport, duke e çuar çmimin total në 700 euro për megavat – shumëfish më tepër se çmimi mesatar i tregjeve ndërkombëtare. Këto kosto, në fund, po transferohen te konsumatorët përmes tarifave të rritura, duke rënduar barrën ekonomike të qytetarëve kosovarë. Kritikat ndaj KOSTT-it për bllokimin e linjave Kosovë-Shqipëri dhe dështimin për të zgjidhur çështjen e linjave me Serbinë janë intensifikuar.
