Pas dhjetë vjetësh të anëtarësimit të Kosovës në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga zyra e Bashkimit Evropian, që në këtë mekanizëm mos të përfaqësohet përmes emrit të administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK, por si shtet i pavarur. Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se përfaqësimi i Kosovës me emrin e UNMIK-ut, paraqet trajtim jo të barabartë me vendet anëtare tjera të CEFTA-s. “Po mendojmë se është koha e fundit të tregojmë se Kosova është shtet i pavarur. Kjo çështje është duke u diskutuar, por ende nuk është kristalizuar me veprime konkrete”, tha Shatri për Radion Evropa e Lirë.
