Kosova do të prezantohet në Bienalen e Venedikut 2017 me artistin Sislej Xhafa

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pranuar një letër nga drejtori i Bordit të Bienales së Venedikut, Paolo Baratta, përmes të cilës aprovohet kërkesa e ministrit që Kosova të jetë e pranishme në Edicionin e 57-të Bienales së Venedikut, që do të mbahet nga muaji maj deri në nëntor të 2017-ës.

Artisti i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emri i afirmuar në skenën botërore të artit, Sislej Xhafa, ndërsa kuratore do të jetë Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve, Arta Agani. Ndërkaq, Komisioner i Pavijonit të Republikës së Kosovës, në edicionin e 57-të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut, është caktuar Valon Ibraj, si përfaqësues zyrtar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë përsipër shpenzimet për realizimin e këtij projekti, duke ndarë 150 mijë euro, përfshirë këtu edhe koordinimin e donacioneve të mundshme.

Ministri Shala e vlerëson si tejet të rëndësishme prezantimin e Kosovës në këtë ngjarje. “Bienalja e Venedikut është një nga ngjarjet më të mëdha të artit në botë dhe prezantimi i vendit tonë në këtë organizim kulturor është një rast për promovimin e artistëve tanë dhe në njohjen e skenës sonë kulturore dhe ngritjen e mëtejme të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sislej Xhafa, është një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor, i cili së fundmi është vlerësuar me titullin Akademik Nderi i Shkollës së Arteve të Firences. Prezantimet dhe kritikat që janë shkruar për të, garantojnë një prezantim të denjë e afirmativ të Kosovës në Bienale, në paraqitjen e tretë të vendit tonë në këtë ngjarje të madhe botërore në fushën e kulturës. Përmes krijimtarisë së Xhafës synohet tërheqja e vëmendjes së publikut bazuar në reputacionin e konsiderueshëm që po e gëzon aktualisht në skenën artistike botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …