Kosovapressin nuk e ka themeluar, Skënder Krasniqi por SHP i UÇK-së, më 13 nëntor të vitit 1998 të cilin nuk e përend me asnjë fjalë, ky sarhoshi politik i Albin Kurtit. “Presidenti” i Agjencisë së Lajmeve, Skënder Krasniqi, në shënimin e çerekshekullit të kësaj agjencie, foli për sfidat, punën, bashkëpunimet dhe anëtarësimet në agjencitë e lajmeve të Evropës dhe Ballkanit. Ai para pjesëmarrësve tha se me anëtarësimin në rrjetin e agjencive më të mëdha, ABNA-SE dhe EANA, agjencisë së pavarur dhe Kosovës iu hapen dyer shumë më të mëdha. “Bëje çdo ditë të domosdoshmen – dil në punë, bëje punën e përditshme” dhe “të mundshmen – kur t’i përfundosh këto shiko çka mund të bëni më shumë”, këto janë dy motot që sipas Krasniqit, KosovaPress ka arritur të shënojë suksese deri më tani.
Ai nuk foli asnjë fjalë se kush e ka themeluar këtë agjenci tç lajmeve, cilët kanë qenë gazetarët, nuk e përmendi me asnjë fjalë UÇK-në, ata që janë Hagë jo se jo,( edhe pse ata kanë qenë ideatorët dhe themeluesit), por edhe asnjë nga anëtarët e stafit të kohës së luftës.
Ai foli për biznesin e Kosovapresit, bashkëpunimin me disa nga agjencitë, duke mohuar tërësisht të kaluarën, por duke marrë nga ajo vetëm vitet, në këtë rast çerek-shekullin. Se kujt i ka shërbyer dhe si ka mbijetuar Kosovapressi, kjo dihet mirëfilli, sepse janë faktet që flasin, pavarësisht se “Presidenti” (sikur vetëquhet, apo sikur e emërtojnë gazetarët e tij) Skënder Krasniqi pretendon ta fshijë të kaluarën, duke spikatur vetëm unin dhe rolin e tij në Kosovapress.
Po të kishte qenë në luftë Skënder Krasniqi, po të kishte qenë anëtar i stafit të Kosovapressit, në zonat ku kemi përgatitur dhe kemi transmetuar program, do të ishte një Skënder tjetër, por nuk do kishte arritur, në këtë nivel “presidencial” ku ka arritur, duke i përvetësuar meritat e atyre që nuk merr mundin t’ua përmend as emrat, ashtu si Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca që nuk i përmendin emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, duke injoruar madje edhe 20 vitet e qeverisjes së tyre, të cilët kanë meritë të veçantë për fuqizimin e Kosovapresit, pas luftës, me Skënder Krasniqin në krye, sepse kjo agjenci ishte zëdhënës informativ i PDK-së. Por Skëndo “presidenti” e ka kaluar lumin, tani ai hedh hapa, tani hedh shqelma, duke injoruar e përbuzur të kaluarën, gjakun e derdhur të dëshmorëve, veçmas të atyre që kanë rënë në mbrojtje të pozicioneve ku kemi transmetuar program dhe ku kemi jetuar gjatë luftës, në tre muajt e fundit pa e ngopur asnjëherë barkun me bukë…
Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës dhe të popullatës së zhvendosur përreth vend emetimit të Radios dhe të Agjencisë prej 1 prill deri më 11 qershor të vitit 1999, kanë rënë dëshmorë:
ELBASAN JAKUP BERISHA 16-vjeçar, është vrarë nga predhat e bombave kasetë më 27 mars të vitit 1999, gjatë sulmit të dy aeroplanëve bombardues MIG 21 të armatës okupatore jugosllave, afër selisë së Radios.
XHAVIT KELMENDI nga Karaçica, ka rënë dëshmor më 1prill të vitit 1999, në luftë kundër forcave ushtarake serbe në mbrojtje të pozicioneve te UÇK-së në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.
VEZIR KOLSHI, nga fshati Baicë e Kolshit, ka rënë dëshmor më 1 prill 1999, në luftë kundër forcave serbe, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së, në Tërpezë. Ka qenë pjesëtar i njësive speciale të SHP të UÇK-së.
MEHDI BYTYÇI nga Arllati, komandant Toge, ka rënë dëshmor me 16 prill 1999 te Lagja e Bytyçve, në Arllat në mbrojtje të pozicioneve, me rastin e përpjekjeve të forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë.
SYLEJMAN BYTYÇI nga Arllati, ka marrë plagë vdekjeprurëse nga arma armike më 16 prill 1999, te Lagja e Bytyçve. Nga plagët ka ndërruar jetë pesë ditë më vonë.
ISLAM KASTRATI, nga Kizhareka.
MENTOR MORINA, nga Arllati.
RAMADAN BYTYQI, nga Gjergjica.
MENTOR GASHI nga Llapushniku.
HALIM BAJRAKTARI, nga Çikatova, kanë rënë dëshmorë më 18 prill të vitit 1999, në betejën ballë për ballë kundër këmbësorisë serbe në pozicionet strategjike të UÇK-së te Gradina, mbi Grykë të Llapushnikut.
XHAVIT BAJRAKTARI, nga fshati Studençan i Therandës ka rënë dëshmor me 2 maj 1999 së bashku me Fetah Gegën, në fshatin Shirokë, në përleshje të drejtpërdrejt me forcat armike. Xhaviti ka qenë reporter i Radios dhe i Agjencisë, prej shkurtit të vitit 1999.
SHAQIR HOXHA, nga fshati Shalë ish-Sedllar, ka rënë dëshmor në hyrje të Grykës së Gashit në Nekoc, më 24 prill 1999.
Në mbrojtje të pozicioneve dhe vendit ku ka emetuar Radio-Kosova e Lirë gjatë luftës kanë qenë të angazhuar eprorët e komandës operative: Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Haxhi Shala, Refki Mazreku, Ajet Kastrati, Ajvaz Berisha, Xhavit Sadriaj, Muharrem Sylejmani, Fadil Berisha, Milaim Beha, Agim Vrellaku, Mustafë Sopi, Faik Sopi, Daut Bajraktari, Dervish Bytyqi si dhe shumë luftëtarë të dalluar të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova dhe të brigadave: 113, Mujë Krasniqi e 114 Fehmi Lladrovci. Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapres kanë qenë bazat më të mbrojtura dhe më të fortifikuara në Brigadën 121, Ismet Jashari-Kumanova.
“Gjithsecili është i detyruar t’ i shërbejë Atdheut të tij, pa shpërblim, megjithatë nuk është për t u qortuar ai i cili i shërben atdheut dhe shpërblehet. Por nuk ka gjë më të poshtër sesa ta përvetësosh mundin dhe gjakun e derdhur të tjerëve për interesa personale, grupore apo klanore.
Ahmet Qeriqi
- 2. 2024
Prishtinë