Kërkesa e Kosovës për të marrë statusin e mysafirit special në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës, konfirmoi delegacioni i Kosovës pranë KiE-së. Kjo kërkesë ishte paraparë të shqyrtohej gjatë takimit të Komitetit, i mbajtur në Paris. Me kërkesë të Pablo Hispan, kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), u votua për shtyrjen e kësaj pike. Asambleja Parlamentare e KiE-së mund t’u japë statusin e mysafirit special parlamenteve të vendeve evropiane që kanë aplikuar për anëtarësim, duke u lejuar pjesëmarrjen pa të drejtë vote në seancat e Asamblesë. Në fillim të vitit 2024, Kosova dështoi të anëtarësohet në KiE për shkak të kushteve të lidhura me zbatimin e marrëveshjes së normalizimit me Serbinë, përfshirë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
