Njohës të rrethanave ekonomike në vendin tonë thonë se Kosovës iu kanë shterur të gjitha mundësitë për ta sfiduar kompaninë amerikane, ContourGlobal, në lidhje me kontratën për Termocentralin “Kosova e Re”. Tri vjet më parë, Kosova përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, pasi kompania amerikane e fajësoi për mosrespektim të kontratës për ndërtimin e termocentralit të ri. Javën e kaluar u bë e ditur se Kosova e ka humbur arbitrazhin dhe, për më tepër, detyrohet t’i paguajë njëzet milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane. Ish-avokati i përgjithshëm shtetëror i Kosovës, Sami Istrefi ka thënë për Radion-Evropa e Lirë se e kam parë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe sipas vlerësimit tim, të gjitha provat e mundshme në favor të Kosovës janë shterur në këtë procedurë të arbitrazhit.
