Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shprehur indinjatë të thellë kundër deklaratave të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë përdorur gjuhë të papranueshme dhe tendencioze lidhur me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj. Në reagimin e KPK thuhet se disa zyrtarë të lartë shtetërorë po tentojnë të ndikojnë sistematikisht në punët e sistemit prokurorial dhe po përçojnë mesazhe tendencioze politike, sikurse që kanë bërë edhe kësaj radhe, duke përdorur gjuhë denigruese kundër personalitetit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, e që sipas këtij institucioni është në kundërshtim me të gjitha normat etike, ligjore dhe kushtetuese. “Këshilli Prokurorial vlerëson se, deklaratat e tilla, siç ishte ishin ato të djeshmet, janë në kundërshtim të plotë me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje flagrante dhe të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht të institucionit të Prokurorit të Shtetit, ngaqë puna dhe angazhimi i të gjithave, përfshirë edhe PSRK-në, burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar”, thuhet në reagim.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …