Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas vendimit të kryetares, Vjosa Osmani, për mosdekretim të kryeprokurorit të ri të shtetit, Blerim Isufaj. Në reagim e KPK-së është thënë se Osmani në konferencën për medie ka konfirmuar përpjekjen sistematike për shtrirje të ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, është thënë në reagimin e KPK-së. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vlerësuar se,deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në institucionin e Prokurorit të Shtetit. Kurse lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, KPK-ja ka ftuar presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që sipas tyre, të ndriçohen plotësisht.
