KPMM: Komunikatë lidhur me aksidentin me fatalitet në Minierën e Artanës

KPMM: Komunikatë lidhur me aksidentin me fatalitet në Minierën e Artanës

Duke ju shprehur ngushëllimet nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale familjeve të Inxhinierit te Xehetarisë Haki Arifi dhe Minatorit Idriz Gërbeshi dhe gjithë minatorëve të Artanës, Trepçës dhe gjithë shoqërisë, me dhimbje të madhe njoftojmë opinionin e gjerë lidhur me këtë fatkeqësi.

Aksidenti me fatalitet në minierën e Artanës ka ndodhur rreth orës 10:25h. Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale është njoftuar nga Drejtori i njësisë biznesore të Minierave me flotacion Kishnicë-Artanë përmes telefonit në orën 10:34h.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Minierave të KPMM-së menjëherë ka njoftuar të gjitha organet e sigurisë së vendit dhe Departamentin e Emergjencave civile. Një ekip i inspektoratit të KPMM-së menjëherë është nisur për vendin e ngjarjes.

Meqenëse Bordi i KPMM-së po atë ditë kishte për të mbrojtur raportin e punës për vitin 2019 në Komisionin per Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës në ora 11:00h, kryesuesi i bordit të KPMM-së njoftoi për këtë deputetet e këtij  Komision të Kuvendit të republikës së Kosovës.

Kryetari i komisionit z. Endrit Shala kërkoi nga deputetët të shtyhet për një afat tjetër raportimi i KPMM-së në kuvend për shkak te kësaj situate të krijuar dhe ky propozim u mbështet nga të gjithë deputetët e pranishëm të këtij komisioni.

Menjëherë pas ndërprerjes së mbledhjes, Bordi i KPMM-së u nisë për në minierën e Artanës.

Lidhur me aksidentin, ngjarja ka ndodhur si pasojë e shembjes së shkëmbinjve në korridorin kryesor  të nën katit 798-24 të horizontit të IV-të të minierës së Artanës, respektivisht në zonën ndërmjet korridorit nr.9 dhe oxhakut të xehes nr.2.

Shembja ka ndodhur nga pjesa tavanore e shkëmbinjve gëlqeror të mërmëritur, të përzier me xehe.

Në vendin e shembjes në atë moment janë ndodhur Inxhinieri i Xehetarisë Haki Arifi i lindur 1969 dhe minatori, xehetari i kualifikuar Idriz Gërbeshi i lindur 1967. Kurse në afërsi të vendit të aksidentit, ishin edhe një numër i caktuar i minatorëve, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar nga aksidenti me fatalitet.

Fatkeqësisht që të dy punëtorët janë goditur, e më pas mbuluar nga masat shkëmbore të shembura, me qrast  kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Pas informatës, në miniere kanë arritur përfaqësues nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës, Kryeministri, Ministra dhe deputet të Kuvendit të Kosovës, si dhe Departamenti i Emergjencave civile të Kosovës, FSK-ja, Policia, Prokuroria, mjekësia ligjore.

Qeta e shpëtimit e Artanës ka qenë në gjendje gatishmërie, në ndihmë kanë ardhur edhe qeta e shpëtimit e Stantërgut,  një njësi zjarrfikësish nga KEK-u, si dhe një njësi zjarrfikësish nga komuna e Artanës.

Pas ekzaminimit të vendit të aksidentit, nga njësit e Fornezikës dhe Inspektoratit të Minierave, rreth orës 15:30h kanë hyrë në minierë qetat e shpëtimit të Artanës, Stan tërgut dhe një ekipi e FSK-së. Këto ekipe nën kushtet te limituara të punës në minierë arritën që të zhbllokojnë  dhe nxjerrin trupat e viktimave të këtij aksidenti rrethe orës 00:30h  të datës 03.06.2020, pra pas mesnatës dhe i kanë dorëzuar tek ekipet e mjekësisë Ligjore te QKUK-së.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka ngritur një komision nga Inspektorati i Minierave, të cilët në ditët në vijim e kanë për detyrë të inspektojnë vendin e ngjarjes dhe të dalin me raport të detajuar për shkaqet e këtij aksidenti.

Si përfundim, të gjithë së bashku të lutemi që mos të ndodhin aksidente të tilla në të ardhmen.

Trepça  SH.A

Njësia biznesore minierat me flotacion Kishnicë-Artanë

Miniera e Artanës

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …