Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se forcat ogurzeza kudo që shfaqen, në Beograd, Moskë a Pekin, duhet ta dinë, se shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë e nuk do të jenë kurrë pushtues. Sipas Krasniqit ky fakt nuk do t’i shmangë në asnjë kohë për ta mbrojtur shtetin e tyre të fituar me sakrifica të shumta.
“Si po shkruajnë mediet sot, më 23 nëntor 2018, shovinistet rus të instaluar në MJR, qenkan vërë më të katër këmbët në mbrojtje të banditëve serb që para do kohe e patën vrarë politikanin serb Oliver Jovanoviq. Se ruset janë shovinist nuk ka asnjë dyshim, pasi për ketë fenomen para një shekulli pat shkruar edhe V. I. Lenini, i cili pat thënë: “Po ta gërvishtesh komunistin rus, del shovinisti rusomadh”. Ketë konstatim të Leninit e ka konfirmuar dhe e konfirmon e gjithë historia e tyre, sidomos ajo e pas viteve të ‘50-ta kur u munduan të ngulnin këmbë edhe në Shqipëri siç bënë në Hungari e Çekosllovaki, por nga Shqipëria dolën “me bisht nën shalë”. Në fund të shekullit XX edhe nga Kosova, po ata banditë që po i mbrojnë sot qenë detyruar të ikin në të njëjtën mënyrë. Ruset dhe të gjithë ata që i mbështesin kriminelët, qofshin ata edhe kinezët, duhet ta dinë se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik dhe policia jonë dhe në koftë nevoja i gjithë kombi ynë do të behën ushtarë në mbrojtje të atdheut! Nëse është e saktë kjo që thonë mediet, ruset dhe kushdo tjetër duhet ta dinë se shqiptarët e forca e sigurisë së tyre, nuk janë forca pushtuese, por forca që garantojnë rend e siguri për çdo qytetar të Kosovës. Kësaj radhe ishin në mbrojtje të qytetarëve serbë te Kosovës. Ne, në Kosovë, nuk jemi as serbe e as rusë që pushtojmë toka të huaja, por i mbrojmë trojet tona dhe do t’i mbrojmë në çdo kohë dhe kundër kujtdo. Natyrisht ne na vije keq pse një shtet i madh siç është Rusia, i cili do të duhej të ishte në shërbim të paqes në nivel global u del në krah banditëve ordinerë që kanë vrarë bashkëkombësin e tyre?! Ministria e Jashtme Ruse paska deklaruar: “Ne e konsiderojmë pushtimin nga forcat speciale kosovare të pjesës së popullsisë serbe të Mitrovicës në mëngjesin e 23 nëntorit si një provokim i radhës nga Prishtina me qëllim të shtypjes së serbëve të Kosovës nga provinca… Ne e dënojmë fuqishëm eskalimin e konflikti nga ana e Prishtinës”. Këto forca ogurzeza kudo që shfaqen, në Beograd, Moskë a Pekin duhet ta dinë, se shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë e nuk do të jenë kurrë pushtues, por ky fakt nuk do t’i shmangë në asnjë kohë për ta mbrojtur shtetin e tyre të fituar me sakrifica të shumta! Ne jemi të bindur, se të dy shtetet e mëdha që qenkan verë në mbrojtje të banditëve e dinë dhe e dinë mirë se shqiptarët në kohë të largëta, në kohën e Skënderbeut kanë luftuar me Perandorin Osmane dhe kanë fituar, në shekullin XX, ata e kanë të freskët sesi janë ndarë me Shqipërinë e Enver Hoxhës. Veç këtyre që u thanë, ata duhet ta dinë se në mileniumin e ri, shqiptarët kanë krijuar miqësi të reja dhe janë në mbrojtje të sigurisë në nivelin Global”, ka shkruar ai.