Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga themeluesit e partisë Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin, Isa Mustafa dhe kryetarin, Hashim Thaçi, që sipas tij, me politikën e tyre të negociatave mundësuan vendosjen e shtatores së Car Llazarit. Në një shkrim autorial, Krasniqi ka përkujtuar se për bisedimet me Serbinë thuhej se bëheshin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por asnjëra nga këto nuk ndodhi. Sipas tij, çdo ditë e më tepër po ndodh ndarja e sovranitetit me Serbinë dhe forcimi i Listës serbe e cila po punon për jetësimin e Bashkësisë së Komunave serbe në Kosovë. “Heshtja e Qeverisë dhe e koalicionit qeverisës, për vendosjen e Përmendores së Car Llazarit në Mitrovicë, është heshtje për shkak të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Kjo është një dëshmi tjetër, se këta njerëz që kanë lejuar e lejojnë gjëra të tilla kundër Kushtetutës e ligjeve, duhet të dorëhiqen. Dorëheqjen këta njerëz duhet ta afronin po të kishin moral e përgjegjësi politike, sikur pozitat që i mbajnë, t’i mbanin për publikun e jo vetëm për veten e tyre. Kjo praktikë qeverisëse duhet të ndërpritet! Pa ndërprerjen e kësaj qeverisje, rrënimi i institucioneve të shtetit nuk do të ketë ndalje!”, përfundon shkrimi i përfaqësuesit të Nismës, Jakup Krasniqi.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …