Tri subjektet opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma do të vazhdojnë bojkotin e punës së Kuvendit, pavarësisht se ato më nuk veprojnë si një bllok i bashkuar opozitar. Opozitarët konsiderojnë se kjo formë është mënyra e duhur për kundërshtimin e Qeverisë Mustafa, të cilën e kundërshtojnë si shkelëse të Kushtetutës, Por, përfaqësues të opozitës bëjnë të ditur se do të kthehen në Kuvend vetën në seancat kur në rend të ditës do të jetë miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë se ky subjekt kohë më parë e ka bërë të qartë qëndrimin e vet. Ai ka saktësuar se deputetët e Vetëvendosjes do të rikthehen në Kuvend vetëm kur në rend të ditës do të trajtohen çështje me rëndësi të veçantë.
