Lidhur me shënimin e 19-vjetorit të rënies së heroit, Ilz Kodra dhe dëshmorëve të Brigadës 114 të Zonës Operative të Drenicës, Krenare Ilaz Kodra në një prononcim për Radion-Kosova e Lirë ka thënë: Unë pata fatin të jem bijë dëshmori, gjë me të cilën natyrisht se ndihem jashtëzakonisht krenare. Babai im, Ilaz Kodra ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte komandant i brigadës 114, të cilin detyrë e mori pas rënies së komandantit të parë të kësaj Brigade Fehmi Lladrvoci. Ishte Brigada e vetme që i dha 2 komandantë. Babai im, shquhet për kontributin që dha për Ushtrinë Çlirimtare, që nga koha e krijimit e funksionimit të saj, deri në momentin e fundit të jetës së tij, deri në ditën kur ra heroikisht më 30 prill 1999 qe Kosova të jetë e lirë.
Në këtë datë, çdo vit, fillojmë me vizite tek kulla muze e babit, që gjendet në Prekaz të Poshtëm; për të vazhduar me pas me homazhe tek varrezat e dëshmoreve në Polac. Pastaj, nga komuna e Skenderajt, organizohen aktivitete sportive, turne futbolli, kushtuar komandantit, gjë që tani është tradicionale. Në bashkëpunim të komunave Skenderaj dhe Drenas, organizohet tubim përkujtimor kushtuar 40 dëshmorëve dhe 275 martireve te kësaj brigade, dhe mbahet ne fshatin Verboc. Në përvjetor, çdo vit, mbahet edhe akademia përkujtimore kushtuar babit, gjeneralit Ilaz Kodra, e cila mbahet ne Prishtine. – I gjithë ky organizim, sigurisht që nuk është i lehte për familjen tonë. Është e vështirë të përballosh dhembjen; është e vështirë kur kujton që edhe pse Kosova tashmë është e lirë,të rënët që sakrifikuan, nuk janë më në mesin tonë ta shijojnë lirinë; ta shohin që gjysma e ëndrrës se tyre, tashmë u bë realitet. Por, kur dëgjojmë aq shume fjalë të mira për babin, kur na vizitojnë aq shumë njerëz për hir të respektit që kishin ndaj Tij, për hir të kontributit të tij, ne ndihemi shumë krenar, dhe mburremi me të.