Sot, me rastin e 13-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krerët e ardhshëm të institucioneve, anashkalojnë të përmendin qoftë edhe për politesë, protagonistët kryesorë të shpalljes së Pavarësisë. Nuk ua mbanë dot goja të përmendin emrat e Jakup Krasniqit dhe Hashim Thaçit, pushtetarëve të rinj, Vjosa Osmani e Albin Kurti. Madje Vjosës së Raif Osmanit i vjen tepër rëndë të përmend sintagmën historike-heroike të kombit shqiptar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Urrejtja e tyre për këta protagonistë, që udhëhoqën luftën e UÇK-së, që ndërtuan institucionet dhe shpallen pavarësinë e Kosovës, me 17 shkurt të viti 2008, kalon madje edhe caqet e edukatës politike, të mos flasim për ato të njerëzisë dhe duket se është e mbështjellë me një vello të trashë të urrejtjes morbide, duke pretenduar zhvlerësimin e të gjitha të arriturave të Kosovës për 21 vjet, me qëllim për t’ i rënë fshesë krejt periudhës deri kur këta po kapin për vete pushtetin e kapur deri dje nga të tjerët.
Mos përmendja e emrave meritorë të Shpalljes zyrtare të Pavarësisë së Kosovës, për shkak të urrejtjes mbi baza politike, qysh në fillim tregon disponimin e krejt kësaj klase të re, sikur po vetëquhet nga fitimtarët e zgjedhjeve, të cilët morën shumicën e votave të 45 përqindëshit të votuesve, por jo të shumicës së popullit sikur po propagandojnë.
Sot, për hir të gjakut të derdhur të 2500 dëshmorëve, të 13.ooo martirëve shqiptarë të vrarë e të masakruar nga regjimi kriminal i Beogradit, 1500 nga të cilët ende trajtohen të zhdukur, meqë trupat e tyre janë djegur e zhdukur në shkritoret e Serbisë, për hir të 1442 të miturve shqiptarë të masakruar nga regjimi barbar i Millosheviqit, gjatë kohës së luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, do të duhej të kapërdihej, ajo që dueti Osmani-Kurti nuk po e kapërdijnë, sepse urrejtja po ua mund arsyen dhe krejt kjo tregon mendësinë e tyre, e cila përgjithmonë do të mbetet jashtë kohës dhe historisë reale të Kosovës.
Dje, në orën e parë të mësimit të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës janë njoftuar nga mësimdhënësit, me emrat e atyre që kanë shpallur dhe që kanë nënshkruar aktin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu. Këto fakte historike nuk zhbëhen dot nga ata që pretendojnë se historia fillon me ta, sepse historia është sikur hallkat e zinxhirit, që lidh epokat dhe jo gjithë të vdekshmit e kësaj bote mund të bëhen të pavdekshëm, sa u përket meritave në rrethana të caktuara të historisë.
Injorimi dhe anashkalimi që sot po i bëhet protagonistëve të Epokës së Shpalljes së Pavarësisë në këtë 13-vjetor, nga kreu i kësaj që po e quan veten klasë e re politike, do të jetë një njollë më tepër për ta, njollë e cila e ka vendin në anti histori.
Dje, ish- zëdhënësi i UÇK-së dhe kryekuvendar në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë konferencës statutore, në Hagë, i ka bërë të ditur prokurorëve të kësaj gjykate se në emër të popullit të Kosovës, nuk mund të flasin ata, që po bëjnë përpjekje ta njollosin tërë një komb dhe luftën e tij çlirimtare, por do të flasin ata, që të tërë jetën ia kanë kushtuar kombit, që kanë ideuar dhe udhëhequr luftën për çlirim nga robëria, që kanë përzënë përgjithmonë regjimin okupator serb nga Kosova, që kanë bashkëpunuar me forcat liridashëse ndërkombëtare të botës demokratike, që kanë ndërtuar institucionet e vendit, që kanë shpallur Pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tani e kanë njohur 117 shtete të botës. Kundër akuza e Jakup Krasniqit drejtuar prokurorëve, dje në Hagë, ishte sikur jehona e krismave të revolverit të Avni Rrustemit në Paris, në qershor të vitit 1920.
Derisa në Hagë po mbrohet me dinjitet kombëtar lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga më meritorët e saj, në Kosovë po festojnë ata që ish-kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi vazhdimisht ia kishin përmendur Gjykatën Speciale dhe pa pikë turpi i kishin thënë: “Hashim, çka po pret, shko në Hagë”. Ti vetë e ke votuar Gjykatën. Të tjerë nga këto radhë njerëzish i kishin thënë, Hashim merre një biletë të pakthyeshme, sepse nuk do të kthehesh gjallë nga Haga.
Koha, si vlerësuesi më i mirë dhe më i pagabueshëm i së kaluarës, do të tregojë një ditë se kush e ka bërë historinë dhe kush ka mbetur në batakun e antihistorisë. (RKL)