Kreu i Kishës Katolike të Kosovës, Dodë Gjergji ka uruar besimtarët për Krishtlindje

Kreu i Kishës Katolike të Kosovës, Dodë Gjergji ka uruar priftërinjtë, besimtarët dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë në Kosovë. Me mesazhin “Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi mbi tokë” Dodë Gjergji jep lajmin se Papa Françesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu sipas tij i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Pos tij ky lajm është i gëzueshëm edhe për të gjithë popullin e Kosovës, pasi siç thotë ai është dhurata më e mirë që po i dhurohet Kosovës për këto Krishtlindje. Në mesazh thuhet: “Fort të dashur vëllezër e motra, derisa po e shkruaja këtë porosi, që dua t’jua përcjell Ju dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, morëm lajmin e gëzueshëm për të gjithë popullin tonë se Papa Fançesku ka miratuar mrekullinë e dytë dhe kështu i ka hapur rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë. Kjo është dhurata më e mirë që na dhurohet për këto Krishtlindje.

Kjo dhuratë e Papa Françeskut është një shenjë se Zoti gjithnjë e shpërblen Kishën e vet me dhurata hiri dhe shenjtërie, që e ndihmojnë të qëndrojë e zgjuar në uratë. Kisha është bashkësi në lutje, e cila rri zgjuar, duke pritur ardhjen me lavdi të Krishtit Zot dhe s’pushon kurrë duke i dhënë nder e lavdi Hyjit Atë.Koha e Ardhjes edhe e Kërshëndellave janë kohë të shenjta, gjatë të cilave Kisha hyn në përvojën e dyfishtë të përjetimit të fesë dhe ecjes së saj në histori me Zotin.Në përvojën e parë, Kisha e udhëhequr prej Shpirtit Shenjt, kremton praninë e Krishtit në jetën e saj dhe e njeh Atë si themelues, mësues dhe shpëtimtar të saj. Këndej, pandërprerë dhe me plot dashuri, i nxit të pagëzuarit që të nxitojnë me gëzim drejt takimit përfundimtar me Të, ditën e shpëtimit tonë, kur Krishti do të vijë me lavdi.

Përvoja e dytë, e kohës së shenjtë të Ardhjes dhe të Kërshëndellave, është ripërtëritje e Kishës në përvojën profetike të Popullit të Zgjedhur. Në këtë përvojë, kremtojmë Lindjen e Jezusit të Nazaretit, të birit të Marisë, që është Krisht. Festa e Kërshëndellave është një kremtim solemn i ngjarjes bibliko-historike, kur Hyji, për dashurinë që kishte ndaj nesh, na e dhuroi Birin, duke e mishëruar Fjalën në kraharorin e Virgjërës Mari. Me Mishërimin e Fjalës, që ishte në fillim, në botë erdhi drita e vërtetë, e cila shndrit çdo njeri. (khs. Gjn 1,9). Të gjithë ata që i besojnë, nëpërmjet pagëzimit, bëhen të bijtë e së vërtetës dhe, si gjymtyrë të trupit të Krishtit, shkëlqejnë në reflektimin e kësaj Drite. Me anë të kësaj drite, ne arrijmë të shohim në Krishtin – Zotin që na do – me dashuri të pambarim; e takojmë Zotin e përvuajtur, që s’na bën robër, por të lirë; e njohim Zotin e dhimbshëm, që s’lejon të na turpërojë mëkati, por na fton të marrim dinjitetin e të bijve të Hyjit të gjallë. Mbi të gjitha, ne e dashurojmë Zotin e Mëshirshëm, i cili nuk na gjykon, por na fton të kthehemi, nuk na padit, por na edukon, dhe nuk na dënon, por na fal. Kjo dhuratë nuk na bën të mburremi para botës, se jemi më të mirë se të tjerët apo të pohojmë se kemi merita më të mëdha se të tjerët, por se i përkasim Krishtit Zot e Shpëtimtar, i cili, duke na i falur mëkatet, e shpreh dashurinë e vet ndaj nesh.

Me këtë frymë të fesë, Papa Françesku, duke e shpallur vitin 2016 “Vit të Mëshirës”, dëshiron të na nxitë që t’i afrohemi sa më afër kësaj drite, në mënyrë që ta shohim fytyrën e Tij. Në fytyrën e Zotit ne njohim veten tonë, sepse jemi shëmbëllesë e Tij. Kurse në fytyrën tonë, sado të shëmtuar nga mëkati, Ai e njeh kryeveprën e dashurisë së Tij. Këndej, jemi të ftuar t’i përngjajmë duke u bërë të vegjël e të pafajshëm si fëmija, të butë e të përvuajtur si Biri dhe të Mëshirshëm si Ati.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …