Koalicioni për Reforma, Integrim, dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), në kuadër të Aksionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023 organizon ditën e Hënë, dt. 15 maj 2023, ora 10.30, Konferencën për Shtyp për të publikuar Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake.
Konferenca për Shtyp do të realizohet në format hibrid, pjesërisht me prezencë fizike të të ftuarve pranë Hotel Tirana International, salla Abret dhe pjesërisht online (në platformën Zoom).
Konferenca do të mbahet në shqip me përkthim simultan në anglisht.
Duke ju falenderuar paraprakisht për kontributin tuaj në ndarjen e shqetësimeve dhe opinioneve të përcjella në vijimësi tek ju mbi ecurinë e deritanishme të procesit zgjedhor,
Ju ftojmë të ndiqni apo bëheni pjesë e kësaj Konference për Shtyp.
Për t’u regjistruar për t’a ndjekur Konferencën për Shtyp në Zoom, lutemi KLIKONI KËTU.
Për më shumë informacion, lutemi kontaktoni:
Email: [email protected] | Whatsapp: +355673890174 | Cel. +355692999770; +355682039297;
***
Mbi KRIIK dhe aksionin e vëzhgimit
KRIIK ka ndjekur dhe ndjek në vazhdimësi thuajse gjithë proceset institucionale, ligjore e politike që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose indirekt me integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Opinionet dhe qëndrimet e KRIIK mbi këto zhvillime janë bërë në vazhdimësi publike nëpërmjet Deklaratave apo Qëndrimeve Publike, Letrave të Hapura, si dhe nëpërmjet opinioneve dhe sugjerimeve konkrete të dërguara ligjvënësve lidhur me reformën zgjedhore, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me aktet nënligjore në rregullim të procesit zgjedhor, apo edhe takimeve me aktorë politikë e institucionalë, vendas e të huaj.
Procesin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore të 14 majit 2023, KRIIK ka nisur ta monitorojë në tërësi që prej momentit të shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, më 24 tetor 2022. Vëzhgimi i procesit po kryhet vullnetarisht nga KRIIK nё shumicën e elementëve tё vet, në bashkëpunim me 31 organizata të njohura lokale partnere, aktive në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, një bashkëpunim i konsoliduar ky prej më shumë se një dekade.
KRIIK e vlerëson procesin zgjedhor bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike dhe kuadrin ligjor shqiptar.