leoni

Krijuesi, Martin Çuni ka nxjerrë në dritë, tri vepra të reja: “Leqet e jetës”, “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” dhe “Dy takime me Prishtinën”

Krijuesi, Martin Çuni ka nxjerrë në dritë, tri vepra të reja: “Leqet e jetës”, “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” dhe “Dy takime me Prishtinën”

Veprimtari, poeti, gazetari  dhe reporteri i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, Martin Çuni  ka botuar edhe tri libra në prozë e në poezi: “Leqet e jetës”, “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” dhe “Dy takime me Prishtinën”.

Ashtu sikur edhe shumica e veprave të tij të botuara deri tani, edhe këto tri të fundit, të autorit, Martin Çuni, janë libra kujtimesh e rrëfimesh, poema e poezish, të shkruara në kohë e hapësirë të caktuar, në rrethana të ndryshme, me të cilat është përballur gjatë jetës: fillimisht sa ishte gazetar i Radio-Prishtinës, pastaj në vitet  80-të i dënuar për veprimtari “nacionaliste dhe irredentiste”, pas daljes nga burgu vite të tëra në mërgim, pastaj  pjesëmarrja në luftën  e UÇK-së, sërish në mërgim, herë në Gjermani e herë në Kosovë, gjithnjë  në rrugëtim…

“Leqet e jetës”, është përmbledhje  me rrëfime, skica e shënime personale me tema të llojllojshme nga përditshmëria, nga jeta në burgjet e Serbisë, nga koha e luftës, kujtime të ndryshme, rrëfime humoristike, anekdota, shpoti, madje edhe tregime moralizuese, komente të shkurta, shënime rasti, të cilat përbëjnë një tërësi rrëfimtare  në dukje krejt heterogjene dhe të degdisur por të hartuara me kujdes, me gjuhë të pasur e të kuptueshme për çdo lexues.   Rrëfimet, skicat e shënimet janë pjesë e realitetit të përjetuar  vetë, në rrethin ku ka jetuar e vepruar, në familje, me të afërmit, me miqtë e shokët, sidomos me shokët e burgut e të luftës…  Libri ka 360 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë, Shtypi “Shkrola”.

Martin Çuni kësaj radhe ka botuar  edhe dy libra të  tjerë me format xhepi, praktikë kjo e përhapur kudo, por më pak ndër ne.

Poezitë e përmbledhjes, “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” janë krijime poetike, në vazhdën e poezive të Martin Çunit, të filluara qysh në moshë të rinisë. Ai asnjëherë nuk është ndarë, as do të ndahet  nga poezia, e cila duket se  i pëlqen më shumë, jo sepse shkruhet më lehtë dhe është frymëzim çasti, por sepse ndihet në elementin e vet krijues. Këtë përmbledhje poetike ua ka kushtuar, sidomos nënave heroina të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, femrave që kanë bërë vepër e emër, nënave të dëshmorëve e martirëve, femrave krijuese dhe veprimtare, luftëtare e atdhetare, të cilat kanë  lënë gjurmë kurdoherë në të kaluarën kombëtare, por edhe në historinë tonë më të re.  Përmbledhja poetike “Nënat janë të shenjta, gratë janë jeta” ka  48 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë, shtypi, “Shkrola”.

Përmbledhja, me poema,  “Dy takime me Prishtinën” është po kështu një vepër poetike, mjaft e motivuar,  ku autori ka radhitur shtatë poema, kryesisht të shkruara  gjatë kohës sa ka qëndruar në Burgun e  Prishtinës dhe në Burgun famëkeq të Nishit, por edhe poema të tjera nga jeta pas burgut, pas luftës, në kohën e sotme të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Poezitë dhe rrëfimet nga burgu, autori ashtu si edhe disa të burgosur të tjerë shqiptarë në burgjet anë e këndë ish-Jugosllavisë, i ka nxjerrë ilegalisht, me një mënyrë të  veçantë, duke i futur paraprakisht në ambalazh qelqi dhe duke i groposur tinës në një vend të caktuar  në fusha e ara  ku  gardianët i dërgonin në punë, në  Burgun e Nishit. Pas lirimit nga burgu, duke vepruar ilegalisht dhe me mjaft kujdes e syçeltësi, shkrimet i ka nxjerrë  të padëmtuara, nga vendi ku i kishte groposur dhe pa u diktuar nga askush është kthyer, në Prishtinë

Përmbledhja, me poema,  “Dy takime me Prishtinën” ka 50 faqe, botoi, Radio-Kosova e Lirë, shtypi, “Shkrola”.

Ahmet Qeriqi

  1. 7. 2023

Krojmir

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …