(Reportazhi i publikuar në gazetën ” The New York Times” më 31 dhjetor të vitit 1912-Londër,E martë,31 dhjetor 1912 ) I dërguari i ‘Daily Telegraph’ në Budapest tregon detaje në lidhje me mizoritë që po ndodhin në Shqipëri dhe përreth, raporte këto të mbledhura për autoritetet e Austro-Hungarisë. Korrespondenti thotë: Gjatë marshimit drejt detit nëpër Shqipëri, serbët jo vetëm që dinakërisht vranë dhe ekzekutuan shqiptarët e armatosur, por mizoria e tyre nuk u ndal as kur u takuan me njerëz të paarmatosur dhe të pambrojtur, gra e burra, fëmijë dhe foshnja në gji. Oficerët serbë, të dehur me fitoren e tyre, deklaruan se qetësimi më i efektshëm i Shqipërisë është zhdukja totale e shqiptarëve muhamedanë. Kjo thënie u adoptua shpejt nga ushtria serbe e okupimit dhe u vu në përdorim. Në mes të Kumanovës dhe Shkupit, rreth 3000 veta janë rrahur deri në vdekje. Afër Prishtinës, diku afër 5000 shqiptarë ranë në duar të serbëve, jo gjatë ndonjë lufte të ndershme, por gjatë vrasjeve të pajustifikueshme. Për t’i bërë këto krime, ushtarët e çmendur shpikën metoda të reja mizore për të kënaqur etjen e tyre për gjak. Në shumë fshatra, tërë shtëpitë ishin djegur dhe, derisa banorët fatkëqij iknin nga flaka, ata u pushkatuan si minj. Burrat u vranë para syve të grave dhe fëmijëve, e pastaj gratë e pashpresa u detyruan të shikojnë fëmijët e tyre duke u bërë copë e grimë me bajoneta. Ekzekutimet ishin përditshmëri për ushtarët serbë. Në secilën shtëpi ku gjendeshin armë, të gjithë banorët vriteshin, duke u varur ose pushkatuar. Brenda një dite ndodhnin mbi 36 ekzekutime. Ish-sekretari i premierit Pashiq, Tomiatch thotë se gjatë një udhëtimi nga Prizreni në Pejë, ai nuk pa asgjë tjetër pos fshatra të shkrumbuara. Anash rrugës kishte trekëmbësha për varje, ku vareshin trupat e shqiptarëve. Rruga për në Gjakovë ishte si “rrugë e varjeve.” Por tregimet e ligësive, të cilat u bënë në Shqipëri nuk mbaruan me kaq. Veprimet e bëra në Prilep, Kosovë, Veshitcë, thuhet se kanë tejkaluar çdo gjë që shqiptarët kishin vuajtur nën okupimin turk. Një shqiptar, i cili iku nga Prizreni në Graz, në Stiria dhe i cili studioi në Austri, si i ri, tregon: “Kushdo që e denonconte një shqiptar te serbët, ishte e sigurt që ai person do të vritej. Kjo ndodhte aq vazhdimisht sa njerëzit që iu kishin borxh të holla shqiptarëve muhamedanë, i lajmëronin si tradhtarë. Këta vareshin menjëherë dhe borxhliu mund ta blinte shtëpinë dhe fermën e viktimës me një çmim absurd të lirë”. Në Shkup shqiptarët e paarmatosur thjesht vriteshin në rrugë nga oficerët serbë dhe nëse vetëm një thikë e gjuetisë gjendej në shtëpi, pronari vritej pa mëshirë. Në Ferizaj komandanti serb i ftoi refugjatët të kthehen dhe t’i dorëzojnë armët. Pasi ata i dorëzuan armët, 400 veta u vranë. Në tërë Ferizajn vetëm pak familje myslimane kishin mbetur. Në Pana, serbët vranë të burgosurit, ndërsa në Prishtinë popullata ishte masakruar. Vetë oficerët serbë thonë se i kanë ndjekur shqiptarët dhe një oficer mburrej se si kishte vrarë 9 shqiptarë brenda një dite. Edhe jashtë kufijve të Shqipërisë ushtarët serbë kryen krime të llojeve të ndryshme. Në Kalanë e Nishit, ku ishin sjellë shumë të burgosur turq, ndodhën skena tragjike. Një njeri ishte shkelmuar deri në vdekje për shkak të mosbindjes. Një doktor i Kryqit të Kuq thotë: “Kudo që gjendeshin shqiptarët, ata vriteshin pa mëshirë. As gratë, fëmijët dhe pleqtë nuk u kursyen. Unë pashë fshatra që digjeshin për çdo ditë.” Afër Kratovës gjenerali Stefanoviç renditi qindra të burgosur në dy rende dhe urdhëroi të vriteshin me mitraloz. Gjenerali Zivkoviç urdhëroi të vriteshin 950 njerëz të shquar shqiptarë dhe turq afër Sjenicës, sepse ata e kundërshtonin përparimin e tij…. Botuar më 31 dhjetor 1912 nga “The New York Times”