Kristë Maloku (1900-1972) personalitet i shquar i mendimit filozofik shqiptar, kritik, publicist dhe shkrimtar

Kristë Maloku është njëri ndër filozofët dhe kritikët më të shquar dhe më origjinl të mendimit filozofik shqiptar. Ai në studimet mbi artin, letërsinë por edhe në kritikën letrare mbetet i njohur për qëndrimet e tij të thella, kulturën e gjerë evropiane, mendimin tejet të mprehtë,  dashurinë për kombin, gjuhën e Atdheun. Në kritikën shqiptare njihet edhe për vlerësimet e tij të guximshme shpeshherë edhe paradoksale sidomos në studimin që i ka bërë poetit, Largush Poradeci, poezinë e të cilit e vë në dilemë,  duke e trajtuar si art për art, si poezi pa mesazh të caktuar.

Nga shënimet e pakta që disponojmë për këtë mendimtar të madh të kombit, mësojmë se ai ka lindur në Prizren më 8 prill të vitit 1900, ndërsa ka vdekur në nëntor të vitit 1972, në Graz të Austrisë.

 Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, në shkollën katolike të Prizrenit. Si nxënës i dalluar që ishte, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë në Prizren e dërguan në Austri për t’i vijuar mësimet në shkollën e mesme.Studimet i ndoqi në Salzburg, në Vjenë dhe në Graz. Në moshën 12- vjeçare dërgohet me bursë për studime në Austri. Aty kreu shkollën e mesme dhe mori dy doktorata, të parën me 1929 në Filozofi-Pedagogjike me temën, “Die Grundprobleme der Kunsterziehungsbewegung”; dhe të dytën në Jurisprudencë më 1934. Në Graz i përfundoi studimet për filozofi, histori të arteve dhe pedagogji. Qe profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Gracit dhe profesor pranë këtij Universitet për letërsinë shqipe e ballkanike. Më 1966 qeveria austriake i akordon titullin Kryekëshilltar arsimor. Në vitet e fundit janë botuar vëllimet “Refleksione” dhe “Oriental apo Oksidental” .

Është i njohur si kritik letrar. Kritikat e tia më të njohura do të ishin ato mbi Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën etj. Qysh para Luftës së Dytë Botërore Krist Maloku në Universitetitn e Graz-it të Austrisë hapi edhe lektoratin për gjuhë shqipe, ku ai ishte lektori parë dhe i fundit i këtij lektorati. Po në këtë Universitet ishte edhe bashkëpuntorë shkencor dhe shumë kohë punoi në Institutin e Historisë për Europën Juglindore. Këtu Maloki i mbante kompetencat për historinë e popullit shqiptar, ku edhe ligjëronte, sidomos për çështjen e ekonomisë dhe të politikës. Një kohë të gjatë veproi në Akademinë tregtare në Graz, ku po ashtu, ligjëroi ekonominë politike.

Ishte i nderuar edhe me urdhërin më të madh, lartë, të Qeverisë së Styrisë (Steiermark) në Graz nga departamenti i arsimit, për kontributin e tij për këtë akademi. Që bashkpunëtor i shumë revistave shqiptare si “Minerva” në Graz “Djalëria” në Vjenë, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, e më vonë edhe i revistës “Shqiptari i Lirë”, “Dielli” etj. Ka bashkëpunuar edhe me revista të gjuhës gjermane, me artikuj të ndryshëm. Ishte edhe bashkëpunëtor i enciklopedisë së gruas (Zvicër) në gjuhën gjermane, ku ai shjellon problemin e gruas shqiptare. Ka bërë edhe disa komponime dhe një prej tyre, që vlen të përmendet, është „Mbi vorr t’Avni Rrustemit“. Ka botuar edhe disa shkrime me pseudonim si: K. Lepeteni, Male Krishna, Krraba Malsore etj. Ka lënë shumë dorëshkrime të pabotuara në shqip e gjermanisht, të gjitha studimet e tij janë shpërndarë nëpër revista dhe gazeta shqipe e të huaja, sidomos gjatë viteve ’30. Ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike. (Vikipedia)

 Kristë Maloku: Lindorizma shqiptare

Lindorizma shqiptare është një sistem mendimesh, ndjenjash dhe instinktesh, si çdo sistem tjetër jetese, me një botëkuptim të tijën.

Si më të parën karakteristike të lindorit shqiptar marrim proverbin e çdo qelepirxhiu të pashpirt: “Haja qenit, pija qenit”. Lindori shqiptar i pret të gjitha të mirat për vete – qelepir – nga të tjerët; bota për të është një burim i pashterun mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilët ai i shfrytëzon me çdo mënyrë e metodë, pa pyetur se ku nget e ku vret. Detyrë të ndershme apo sakrifica vetëmohuese ndaj botës pranë nuk njeh kurrë lindori shqiptar. Përkundrazi ushejza lindore, e pangopshme, i ngjitet trupit të përbashkët dhe shoqëror dhe ia thith gjakun pa asnjë droje e kujdesje. Dhe në vend që të turpërohet për veprën shkatërrimtare të veten, lindori shqiptar bëhet edhe ma kryenalt, ma kapadai, ma qejfli.

“Lindori shqiptar nuk njeh turp, ai s’ka cipë që t’i nxihet. Lindori shqiptar është i zoti për të gjitha turpet. Shet babë e nënë, besën e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e për vetëm që t’i shkojë kungulli mbi ujë. Idealet e lindorit shqiptar janë kolltuku e llokma; dhe për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot edhe tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, e bile edhe shok i fortë me të tjerë. Porse në shpirtin e vet është Lindori kryekëput rrënimtar, është shkatërrues dhe bashkohet me të tjerët si ata ujqit, që shkojnë së bashku në pre, por që e shqyejnë shokun e vet kur dobësohet apo plagoset udhës. Sepse Lindori shqiptar i ka instinktet e ujkut vetjak, të ujkut tek. Vendi ku ushqehet dhe majmet Lindori shqiptar është Atdhe për te. Jo sepse e do, por sepse e shfrytëzon; dhe e shfrytëzon pa pikë turpi, dhimbje e kujdesi.”

Është gabim kur thuhet se Lindorizma na ka ardhur fillimisht nga Azia, apo nëpërmjet fesë mohamedane, apo edhe nga populli turk. Jo kurrsesi, Lindorizma e jonë është një dhanti fatale e krishterimit euro-aziatik. Po spjegohem! Ne shekullin VIII, aty kah viti 740 e.s., do me thanë 600 vjet para se me shkelë turku në Atdheun tonë, Shqipëria u bë province e Bizantit, nën Leonin III. të quajtur Isaurios. Dhe nga ky despot i tmerrshëm u ngushtuan të gjithë shqiptarët me u nda nga kisha romake (perendimore) e me u fundos ndër labirinthet e errta të kishës bizantine (Lindore) të atëhershme. Por s’ishte aq fort ndamja (skizma) kishtare sesa ai shpirt i administrates bizantine, plot angth e myk, që u pllakos si një shpirtër i zi, si një hije murtaje mbi mbarë kombin shqiptar. Turqia ka qenë trashëgimtarja dhe kujdestarja e mirazit bizantin, dhe kësulja e kuqe – një krijesë greko-bizantine – u pranua si një simbol i atij trashëgimi.

Se ç’don me thanë shpirt bizantin e di pothuaj secili që ka lexuar ndopak fletët e historisë së kulturës. Mjafton të përmendet se bizantizmi historik është po njëlloj

me Lindorizmën shqiptare që u përshkrua më lart. Shqiptari i shkret ia ka thithur lëngun asaj bizantizme shkatërrimtare brenda 12 shekujve të kaluar – qysh nga viti 740 – dhe është kalbur dalëngadalë në trup e në shpirt të vet, duke iu shprishur kësodore fuqitë e tij më të thjeshtat e më fisnike bashkë-kombëtare. Shqiptari dikur ka pasur nje dashuri të përvlueme dhe një besim të pafund ndaj Zotat e qiellit e të tokës, ndaj vendit dhe trashigimit të të Parëve dhe ndaj vllezërve të vet shqiptare.

Vala aristokratike dhe drita politike-filozofike që dridhen edhe sot në amanetet e pluhurosura të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe ndër sa e sa tradita malësore-shqiptare lenë me kuptuar lartësinë shpirtërore dhe heroizmën vetflijuese të të Parëve tonë dikur. Porse të gjitha ato veti të larta e bashkë-ndërtuese shkuan dëm e huq nëpër hejmin shkatërrues të bizantizmës. Sepse si në mbarështrimin shoqëror e politik, d.m.th. ndër marredhëniet e shqiptarit me shqiptarin dhe ndër marrëdhëniet e shqiptarit me shtetin e tij u fut e u përhap shpirti bizantin si një epidemi rrënimtare dhe e deformoi karakterin e drejtë të shqiptarit në një bollë amorfe. Si i tha nënprefekti djalit të ri që po hynte rishtas kryetar komuneje: “Biro, ato që ke mësuar në kurse e libra hidhi mënjëanë. Po deshe të jesh një nepunës i mirë, të lavdohesh dhe të nderohesh, mbaje popullin me premtime. Sille vërdallë nga një ditë në tjetren, deri sa të mërzitet dhe mos i kryej ndonjë punë”.

Vet djelmnia e shkolluar e ka gabim kur kujton se perendimorja përmbahet vetëm ndër veshje e mbathje evropjane, apo në të ndëjunit plot kotësi nëpër sallone, apo edhe me kryerjen e ndonjë detyre sa për formë e për të rrëmbyer një rrogë të majme, etj. Perendimorja e vërtetë tregohet pikësepari në kryerjen e një detyre të ndershme, fund e majë për hatër të asaj detyre dhe pa qenë i shtyrë nga zori, nga ndonje dëshirë e prujtun apo nga shkëlqimi i ndonje fitimi marerial. Bile perendimori i vërtetë karakterizohet nga menyra se si ai i ngarkon vetes me vetdashje detyra të rënda, jashtë detyrave të zakonshme e të domosdoshme. Heroizëm s’kerkohet prej askujt, porse lartësia morale e një perendimori matet me graden e vetmohimit dhe vetflijimit rreth nje ideje të lartë, rreth nje ideje që s’ka punë me kolltuqe apo llokma. Detyra e përditshme e një perendimori është: Vepro gjithmonë në një mënyrë të atillë që sjellja jote të jetë shembull dhe rregull mbarëvajtjeje për të gjithë; sillu si njeri i butë me të tjerët, pa hile; pranoje, nderoje dhe çmoje çdo njeri pa qëllime dhe prapamendime lindore. Dhe këto të gjitha kërkohen dhe detyrohen tek çdo njeri i madh a i vogel, pasanik apo i varfër, shkollar apo bilmez – jo nëpër premtime materialiste apo friksime fetare, por vetem e përvetëm në emër të një njerëzimi të lartëm, i cili mbështetet mbi ato të drejta hyjnore që kanë mbirë në zemrën e çdo njeriu pak a shume normal. Dhe shpirti fisnik i një perendimori është pikërsiht ajo dhimbje mëshire dhe flijëplotë që drejtohet kundrejt çdo krijese nevojtare, por sidomos kundrejt çdo njeriu fatmjerë, kundrejt çdo populli varfanjak, e më së forti kundrejt kombit të vet në rrezik.

(Prof. Krist Maloki,  Gazeta “Përpjekja Shqiptare” e vitit  1937)

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …