Bisedimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja në Maqedoni, po tregohen të pafrytshme, duke thelluar edhe më shumë krizën politike. Bisedimet e dy ditëve të fundit mes opozitës social-demokrate dhe ndërmjetësuesit evropian, Johannes Hahn, nuk kanë qartësuar shumë gjëra. Kreu i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, ka tërhequr vërejtjen se pa pastrim të listës zgjedhore, opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit. “Nëse zgjedhje të tilla, pa këto kushte, mbahen më 24 prill, ne nuk do të marrim pjesë. Përkundrazi, do të vazhdojmë të luftojmë për kushte korrekte për mbajtje zgjedhjesh”, citohet të ketë deklaruar Zaev.
17. 1. 2016. Ora 16.00
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk ka ardhur në pushtet për të vjedhur e për të rrënuar dhe nuk ka mendjen të japë dorëheqje duke u dorëzuar para atyre që dalin në rrugë. Ai ka thënë me këtë rast se kabineti i tij është të vendosur të punojë dhe të pranojë vërejtjet e qytetarëve. Mustafa përmendi edhe Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, ku tha se nuk mund të jenë arsye që të ushtrohet dhunë mbi institucionet e Kosovës. Për demarkacionin tha se nëse ka pas ndonjë gabim ai do të korrigjimet, por nga ekspertet dhe jo nga rruga.
Ministria e infrastrukturës e Kosovës, ka bërë të ditur për mediet se të gjitha rrugët në vendin tonë janë të kalueshme. Rexhë Osmanaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për menaxhimin e rrugëve, tha se vështirësi në qarkullim ka në viset malore. “Rrugët kryesore nuk janë të mbuluara me borë. Në bazë të informatave që i kemi nga menaxherët rajonalë e që janë në terren, me përjashtim të rrugëve malore ku ka më shumë të reshura dhe qarkullimi është më i vështirësuar, rrugët e tjera janë të kalueshme”, tha Osmanaj.
Raportohet se problemet me të mëdha në qarkullim janë në rrugën Pejë – Kullë – Rrozhajë dhe në Zhur e Dragash. Ministria e Infrastrukturës i ka angazhuar 14 kompani për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale. Të gjitha kompanitë e angazhuara janë në terren dhe bëjnë kujdestari edhe gjatë natës.
Memli Krasniqi: Kosova po bën përpjekje ta ruajë tokën bujqësore dhe të ndalë urbanizimin e egër
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka mbajtur një fjalë rasti para ministrave dhe pjesëmarrësve të tjerë në Samitin e Ministrave të Bujqësisë, që po mbahet në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë. Në fjalën e tij në forum, që kishte për temë ‘Si të ushqejmë qytetet?’, ministri Krasniqi tha se Kosova po bën përpjekje që të ruajë tokën bujqësore dhe të ndalë urbanizimin e egër edhe në zona të mira për kultivimin e prodhimeve të ndryshme bujqësore. Ai shtoi se ka një trend të rritjes së interesimit për t’u marrë me bujqësi dhe bashkë me këtë ai tha se po rriten edhe investimet nga qeveria, partnerët tjerë dhe vet sektori privat. Por, duke parë limitin e tokës bujqësore dhe depërtimin e zonave urbane në zonat rurale, ministri Krasniqi tha se duhet përkushtim më i madh që toka bujqësore të ruhet. Në këtë drejtim, duke mbështetur deklaratën e Samitit, ministri kërkoi nga shtetet pjesëmarrëse që të angazhohen për të adresuar efektet evidente të urbanizimit rapid në bujqësi.
Agjencia DPA nga Nju Jorku, bën të ditur se Kroacia zyrtarisht e ka nominuar ministren e jashtme, Vesna Pushiq, për postin e sekretares së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u bërë shteti i parë qe e ka paraqitur një femër për këtë post, i cili gjithnjë ishte mbajtur nga meshkujt. Në letrën dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u ishte shpërndarë vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, e ka nominuar zonjën Pushiq, e cila është edhe zëvendëskryeministre e parë e Kroacisë. “Zonja Pushiq e ka një karrierë të shquar kombëtare dhe ndërkombëtare, si politikane dhe anëtare e akademisë, që e bënë atë plotësisht të përgatitur për kryerjen e këtij posti të udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale”, ka shkruar kryeministri Milanoviq. Më herët edhe Maqedonia e ka paraqitur kandidatin e vet, Sërgjan Kerim, që është diplomat dhe biznesmen. Mandati i sekretarit të përgjithshëm të tashëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i kalon gjatë këtij viti.
Kancelari i Austrisë, Werner Fajmann në një intervistë për gazetën lokale “Oesterreich” ka bërë të ditur se Vjena zyrtare ka anulura për një kohë rregullat e Shengenit për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Bashkë me pezullimin e Schengenit, Fajmann ka njoftuar se kontrollet e personave që do të hyjnë në austri do të vazhdojnë të jenë edhe më të përforcuara. Pezullimi i Schengenit, veprim që pas Austrisë mund të ndiqet nga vende të tjera perëndimore, ishte i pritshëm për shkak të fluskit të emigrantëve nga vendet arabe dhe Afrika drejt vendeve të Europës. Krahas emigrantëve, një tjetër rrezik përbën edhe terrorizmi. Sipas autoriteteve evropiane, Schengeni u ka mundësuar militantëve të lëvizin të lirë në kontinentin e vjetër e të organizojnë atentate, si ai i 13 nëntorit në Francë. Për t’u bërë ballë këtyre sfidave, edhe Italia është shprehur e gatshme të rivendosë kontrollet, ndërkohë që Suedia dhe Danimarka i kanë vendosur tashmë masat shtrënguese.
Avokati, Arianit Koci ka deklaruar se kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili ndodhet në burg, ka hyrë në grevë të urisë. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Krejt çka po kërkon Lushtaku është që t’i respektohet e drejta elementare: e drejta në trajtimin mjekësor, ka thënë Koci Sami Lushtaku është dënuar nga shkalla e parë 12 vjet për vrasjen e një personi të panjohur, kufoma e të cilit nuk është gjetur. Pritet shumë shpejt të mbahet seanca në shkallën e dytë, sipas kërkesës së avokatit, i cili ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Aktualisht, Lushtaku është duke qëndruar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdofc.
Pasi është bërë i ditur lajmi se kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku ka hyrë në grevë urie për shka të mos trajtimit në spital Udhëheqja e punëtorëve të administratës komunale dhe udhëheqja më e lartë e Komunës së Skenderajt, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm pas situatës së krijuar me këtë rast Pas kësaj mbledhjeje është marrë vendim që e tërë nëpunësit e administratës komunale të hyjnë në grevë nga dita e hënë. Më këtë rast, komuna e Skenderajt shpreh edhe shqetësimin për, siç thuhet në komunikatë, “trajtimin e padrejtë dhe johuman të Kryetarit Sami Lushtaku”. Më tej, kjo komunë kërkon nga Presidentja e Kosovës, Avokati i Popullit dhe institucionet e tjera relevante që të reagojnë “karshi shkeljes së rëndë të të drejtave elementare njerëzore ndaj z. Lushtaku”. “Privimi nga e drejta për të marrë shërbime shëndetësore është në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Shërbimi shëndetësor nuk u ndalohet as robërve të luftës. Gjendja shëndetësore e z. Lushtaku është serioze dhe ndalimi i ofrimit të shërbimeve adekuate mjekësore përbën rrezik për jetën e tij, prandaj kërkojmë nga institucionet relevante kompetente që të marrin masa urgjente në drejtim të përmirësimit të kësaj situate, që është shqetësim jo vetëm i familjes Lushtaku por edhe i institucioneve lokale të Skenderajt dhe qytetarëve të kësaj treve, thuhet në komunikatën njoftuese të Komunës së Skenderajt.
34-vjet më parë, më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë, në një pritë të organizuar nga UDB-ja jugosllave janë martirizuar: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tre ndër atdhetarët më të njohur shqiptarë të kohës, në mërgatë. Pikërisht në kohën kur Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe disa mërgimtarë të tjerë shqiptarë nga Kosova dhe viset e pushtuara, (që përfaqësonin disa grupe të veprimtarisë së fshehtë të kohës), kishin arritur ta bashkonin lëvizjen e ndarë dhe të përçarë të rezistencës, inspektorët dhe instruktorët e UDB-së, pasi i kishin përcjellë një kohë të gjatë hap pas hapi, në mëngjesin e hershëm të 17 janarit i kishin goditur, me breshëri të armëve të zjarrit, në momentin kur ata po hynin në veturën e parkuar para shtëpisë ku banonin vëllezërit Gërvalla. Asokohe, autoritet shtetërore gjermane kanë përhapur lajmin për opinion dhe medie se vrasës të panjohur kanë vrarë tre shqiptarë nga Kosova. Versioni zyrtar i Gjermanisë lidhur me vrasjen i adresohej, sikur thuhej, “qërimit të hesapeve” mes grupeve të emigrantëve, duke fshehur faktin se Shërbimi sekret gjerman bashkëpunonte me UDB-në për eliminimin e emigrantëve kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë. Në momentin e fundit të jetës, i shtrirë në një spital gjerman nën “përkujdesje të rastit” të një mjeku me origjinë serbe, Jusuf Gërvalla, kishte deklaruar se vrasjen në pritë e kishte kryer UDB-ja jugosllave me njerëzit e vet.
Nesër, më 18 janar 2016, në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Avdi Kelmendi mbahet Akademi në nderim të jetës dhe veprës së tij. Akademia përkujtimore mbahet, në orën 12,00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë. Me këtë rast shfaqet edhe një film dokumentar tematik kushtuar jetës dhe veprës atdhetare të Avdi Kelmendit.
Nga bota
Zyrtarët afganë thonë se së paku 13 vetë janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur nga sulmi vetëvrasës kundër shtëpisë së një politikani lokal në qytetin lindor, Xhalalabad. Një zëdhënës qeveritar tha se sulmuesi e aktivizoi eksplozivin sot në mëngjes në shtëpinë e politikanit, Obaidullah Shinuari, ku shumë njerëz ishin mbledhur për ta festuar lirimin e vëllait të tij nga talibanët. Politikani Shinuari nuk është lënduar. Zëdhënësi i talibanëve, Zabibullah Muxhahid, në rrjetin Twitter ka shkruar se talibanët nuk e kanë kryer këtë sulm.
Pjesëtarët e grupit ekstremist, Shteti Islamik i kanë rrëmbyer së paku 400 vetë, përfshirë gra dhe fëmijë, pasi ka okupuar territor të ri në pjesën lindore të Sirisë, ka njoftuar sot një grup monitorues. Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër,që e monitoron situatën në Siri nëpërmjet rrjetit të gjërë të burimeve lokale, tha se militantët i kanë dërguar njerëzit e rrëmbyer nga fshati i kontrolluar nga qeveria, al-Baghalije, në pjesën veriore të qytetit, Deir al-Zur, pas një sulmi madhor të djeshëm në këtë rajon. Rami Abdulrahman nga ky observator tha se në mesin e personave të rrëmbyer janë edhe anëtarët e familjeve të luftëtarëve proqeveritarë. “Kemi frikë se 400 vetë do të ekzekutohen ose skllavërohen nga organizata me pretekst se ata janë lojalë ndaj regjimit”, i tha Abdulrahman agjencisë DPA. Agjencia shtetërore e lajmeve e Sirisë, SANA, më herët ka raportuar se së paku 300 vetë janë vrarë nga sulmet e militantëve të Shtetit Islamik në Deir al-Zur.