Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli është takuar sot me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Marija Pejcinović Buric. Ai ka thënë së ekzistojnë marrëdhënie të mira në mes të dy shteteve dhe se ka shumë arsye që Kosova dhe Kroacia do të vazhdojnë të jenë partnerë strategjik.
“Me shtetet mike dhe partnere takimet gjithherë janë produktive. I tillë ishte edhe ky i sotëm me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Marija Pejčinović Burić. Dy popujt dhe vendet tona kanë lidhje të forta dhe të veçanta. Ri-konfirmuam përkushtimin e dy-anshëm institucional, që këtyre lidhjeve ekzistuese t’i japim sinergji të reja. Nga çështjet e nivelit bilateral politik, ato të sigurisë, zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik deri tek kultura e sporti. Kroacia do të jetë zë dhe krah i fuqishëm i Kosovës për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë dhe integrimin e plotë të saj në strukturat euro-atlantike dhe të gjitha Organizatat Ndërkombëtare. Ka shumë arsye që Kosova dhe Kroacia do të jenë partnerë strategjik. Veç çështjeve tjera, homologia ime shprehi gatishmërinë dhe vullnetin, që të ndihmojë edhe në lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe anasjelltas për të cilën i jam mirënjohës”, ka shkruar Pacolli në një postim të tij.