Edhe pse eshtrat e Hasan Prishtinës, në vitin 1978, Qeveria e Shqipërisë i kishte nxjerrë nga varrezat e Selanikut dhe i kishte vendosur afër eshtrave të Bajram Currit, në Kukës, kryekuvendari, Kadri Veseli mendon se eshtrat e tij duhet të sillen në Prishtinë, afër vendit ku është varrosur Ibrahim Rugova dhe tani së fundi edhe Adem Demaçi.
Veseli thotë se për këtë qëllim u ka dërguar një letër autoriteteve shtetërore në Tiranë, që të na mbështesin në këtë sikur thotë ai nismë “domethënëse për memorien dhe identitetin shtetëror të Kosovës”. Kosova nuk i harron bijtë e vetë, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat, shkruan Veseli, po harron se Hasan Prishtina dhe tërë plejada e atdhetarëve të Kosovës kishin luftuar dhe kishin dhënë jetën për ta parë Shqipërinë e bashkuar dhe jo të copëtuar. Hasan Prishtina nuk ishte angazhuar për krijimin e Republikës së Kosovës, por për bashkimin e të gjitha trojeve në një Shqipëri unike. Kërkesa për rajonizimin e heronjve dhe dëshmorëve bie ndesh me porositë për bashkimin kombëtar. Kjo kërkesë bëhet me qëllime të përfitimeve politike dhe për të treguar se kryekuvendari qenka edhe patriot, i cili u përkujdeska që të rënët për atdhe me origjinë nga Kosova, tani të rivarrosen në Kosovë, pasi Kadri Veseli paska arritur të bëhet edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës. Po çka do të ndodhte por të merreshin nga Shqipëria edhe eshtrat e Bajram Currit, të Shote Galicës, Kadri Prishtinës dhe qindra heronjve të Shqipërisë. Këtë duket se nuk e ka menduar mirë, Kadri Veseli, por as duzina e këshilltarëve të tij, nëse ai i konsulton ndonjëherë dhe nëse ata logjikojnë drejt dhe realisht si shqiptarë dhe jo si “kosovarë” (RKL)