Kryeministri Albin Kurti, ditë më parë ka takuar Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Mihael Davenport. Në këtë takim ata kanë folur për kërkesën e Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës. Kurti e ka theksuar se siç e ka njoftuar shefin e OSBE-së përmes letrës, është e nevojshme arritja e një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vije nga Serbia si palë e interesuar, thuhet në komunikatë. Kurti dhe Davenport kanë folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë në fushën e të drejtave të komuniteteve jo shumicë në vend. Kosova është e përkushtuar ndaj komuniteteve jo shumicë dhe për rritjen e mbështetjes për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim si dhe angazhimin konstant me Zyrën për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhë.
