Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, kështu ka thënë ai para mediave, duke folur rreth takimit që ka zhvilluar mbrëmë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Lajçak pas takimit me Kurtin kishte thënë se jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet që janë marrë në Bruksel duhet të zbatohen. Diplomacia ndërkombëtare kohëve të fundit iu ka bashkuar edhe takimeve të nivelit të lartë për propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky propozim i ka pesë fjali në preambulë dhe 10 nene gjithsej. Kur e patëm marrë ne atë më datën 9 shtator, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutimet e mëtutjeshme. Është një kornizë e platformë dhe e cila na mundëson që të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve, në mënyrë që ai propozim të bëhet marrëveshje. Ajo se çfarë ne theksojmë është që në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet ndaj një marrëveshjeje tjetër tha Albin Kurti.
