Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë mesazhin e urimit që ka marrë nga ish kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit të kaluar. Duke ju drejtuar me fjalët “Vëlla Edi”, Thaçi i uron Edi Ramës fitoren në zgjedhjet e 25 prillit, ku i shkruan se muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit për fitoren në këto zgjedhje. Sot, për Shqipërinë kam mall, dashuri, e nostalgji. Sot, si jo-rrallë herë kohëve të fundit, u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtarë të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndërgjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës, ka shkruar mes tjerash në urimin e tij, ish kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi.
