Kryeministri, Edi Rama thotë se Raporti i Progresit për Shqipërinë, është më pozitivi, sepse bazohet në fakte dhe jo në perceptime. Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ia ka dorëzuar kryeministrit, Rama. Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024. Gjatë fjalës së tij në një konferencë të përbashkët për mediet me ambasadorin Gonzato, kryeministri është shprehur se ky është raporti më pozitiv që Shqipëria ka marrë ndër vite nga Komisoni Evropian. Raporti i Progresit për Shqipërinë është dokumenti më i plotë dhe i besueshëm i bazuar në fakte dhe jo mbi perceptime apo sondazhe. Edi Rama shtoi se si i tillë është dokumenti më i plotë dhe më i besueshëm ndërkombëtar që Shqipëria merr dhe mbi të cilin ne referohemi fjali për fjali në kuptimin e plotë të fjalës sepse është i vetmi raport që bazohet vetëm në fakte dhe jo në perceptime apo sondazhe dhe që i referohet fakteve nën dritën e parimeve evropiane. Më vjen shumë mirë që ne marrim një raport shumë pozitiv, sepse e tillë është edhe ecuria e vendit. Edhe Konferenca e dytë ndërqeveritare afirmoi njohjen nga të gjitha institucionet të përparimit të bërë në Shqipëri, në përmbushjen e kushteve për këtë fazë, saktësoi, kryeministri, Edi Rama.