Kryeministri, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar nisjen e procesit për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka shkruar në adresën e tij elektronike se rishikimi i Demarkacionit në drejtim të Kullës dhe të Çakorrit është proces i cili ka marrë tashmë dakordimin e dy qeverive, të Kosovës dhe të Malit të Zi. Krahas punës së komisioneve ndërshtetërore dhe parapërgatitjeve sot prita në takim ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Mujë Rugova, me të cilin biseduam për ecurinë e këtij procesi dhe për hapat e mëtutjeshëm që duhet ndërmarrë për finalizimin e tij, respektivisht për korrigjimin e sektorëve në drejtim të Kullës dhe të Çakorrit. Ndërkohë deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, ka thënë se Qeveria e ka bërë punën e saj, mirëpo kjo gjë nuk është varur nga Qeveria jonë, është varur edhe nga shteti malazez. Është dashur të ketë një dakordancë për të krijuar një ekip të përbashkët dhe për ta parë saktësisht çështjen e kufirit. Deputeti, Elmi Reçica ka theksuar se nëse bëhet ndonjë lëvizje sa u përket kufijve, atëherë kjo çështje duhet të diskutohet edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës.