Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim një delegacion të BERZh-it me të cilin ka diskutuar mbi investimet e deritashme të kësaj banke në Kosovë. Ai ka theksuar se kjo bankë mbetet partner strategjik i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. “Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbetet partner strategjik i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Me delegacionin e bordit të drejtorëve të BERZh, diskutuam mbi investimet e deritashme të kësaj banke në Kosovë dhe për projektet zhvillimore në periudhën e ardhshme. Thellimi i bashkëpunimit me BERZh për realizimin e projekteve infrastrukturore, të energjisë së ripërtëritshme, minierave, zhvillimin e sektorit privat nëpërmjet financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe mbështetjen e investimeve të huaja direkte do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
