Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, si dhe për ftesat e para për marrje në pyetje që Gjykata Speciale, në Hagë, ka nisur në adresë të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Haradinaj ka thënë, se populli i Kosovës është “proevropian”, dhe “pak a shumë njëfarë lodhje e kemi në pritje të vizave”. “Nuk po na japin. Na kanë qitur një kontratë, e kemi përmbushur, por tash s’po i japin vizat”, është shprehur ai. Ai i ka cilësuar si “pak problem” ftesat për Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. “Populli i Kosovës thotë se prapë po duhet të kalojmë nëpër filtra të drejtësisë. U bë boll më”, është shprehur shefi i ekzekutivit. “Njëherë ishte UNMIK-u, njëherë ishte Haga, EULEX-i, tash edhe njëherë Haga. Shumë u bë”, ka shtuar Haradinaj. “Ajo që është e drejtë të ndodhë, të na japin liberalizimin, s’po na japin. Këta mund të kujtojnë se mos ka Evropa diçka kundër nesh… qytetarët”, ka thënë kryeministri kosovar. Qytetarët, sipas Haradinajt, “mund të lodhen në këtë farë marrëdhënie”. “E shfrytëzoj rastin t’ju bëj apel vendimmarrësve në BE që të na kuptojnë”, ka thënë ai. “Gjithë këta t’i thërrasin, e të mos na e japin liberalizimin, për besë është në shpërputhje të madhe”, ka vlerësuar Haradinaj.
Kontrolloni gjithashtu
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …