Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it, për “përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rifillimin e procesit të dialogut me Serbinë”. Sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, ai sot është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik dhe ekonomik në vend. Hoti me të marrë postin e kryeministrit në fillim të qershorit ka nisur me prezantimet e prioriteteve të tij për dialogun me Serbinë. Ai e ka njoftuar për to edhe Akademinë e Shkencave teksa ka paralajmëruar edhe krijimin e një “forumi të liderëve” duke kërkuar pjesëmarrjen edhe të liderëve opozitarë, ndërkaq brenda Zyrës së Kryeministrit ka propozuar formimin e këshillit të ekspertëve. Kuvendit, Hoti ka thënë se, do t’i propozojë themelimin e një komisioni parlamentar për dialog, të cilin duhet ta udhëheqë opozita. Hoti është shprehur se Qeveria do të udhëheqë procesin e dialogut, ndërsa ka theksuar se roli i kryetarit duhet të mbetet brenda kompetencave që ia përshkruan Kushtetuta.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …