Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër nga Sekretari i shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken

Çka përmban letra të cilën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ia ka drejtuar kryeministrit, Albin Kurti

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në letrën drejtuar  kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, veçmas ka nënvizuar angazhimin pëe dialogun Kosovë-Serbi që pritet t’i normalizojë marrëdhëniet  në mes të dyja  shteteve. Blinken kërkoi nga Kurti që të punojë ngushtë me dy diplomatë amerikanë, ambasadorin,  Xhefri Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kjo kërkesë e Sekretarit Amerikan erdhi derisa paraprakisht foli lidhur me rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin Blinken tha se mbetët forumi më i mirë për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. “Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar z. Blinken.

Sekretari Blinken ka thënë se marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur. Duke i strehuar me zemërgjerësi afganët që janë në pritje të rivendosjes, Kosova po tregon lidership në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të mbështeten, ka shkruar z. Blinken. Ngjashëm, ka thënë ai, vendosja e përbashkët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e SHBA-së në Kuvajt, vë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka shkruar në letër Sekretari Blinken.

Lidhur me raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Sekretari Blinken ka thënë se natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve mbetet një pengesë e madhe ndaj anëtarësimit dhe integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, i cili është një qëllim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar z. Blinken.

Në letrën drejtuar kryeministrit Kurti, Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar.

“Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur. Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar z. Blinken.

Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e minoriteteve, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me prioritetet e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit, ka shtuar ai.

“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony S. Blinken.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …