Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën se situata me pandeminë e koronavirusit është nën kontroll dhe se masat kufizuese, që po zbatohen nga 11 nëntori, kanë treguar rezultat të kënaqshëm. “Në dy-tri ditët e fundit, numri i rasteve të reja së paku është stabilizuar, një rënie e lehtë, por mund të themi se situata është stabilizuar, është parandaluar rritja eksponenciale dhe situata është nën kontroll dhe mjekët nëpër spitalet tona janë duke e përballuar fluksin e qytetarëve, që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”, ka deklaruar Hoti në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e Odave Ekonomike. Megjithatë, ai ka thënë se situata nuk pritet të përmirësohet në javët në vijim, dhe se një trend i ngjashëm ka përfshirë gjithë Evropën, ka shtuar mes tjerash ai.
