Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk i kupton reagimet e presidentit turk ndaj tij, ndërsa ka theksuar se askush nga jashtë nuk do të marrë vendime për punët e brendshme të Kosovës. Në intervistën dhënë për “Zërin e Amerikës” kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk dëshiron të paragjykojë se kush mund të ketë urdhëruar operacionin e arrestimeve dhe deportimit që sipas tij ishte një lloj vjedhjeje e njerëzve nga Kosova. “Kosova ka një kujdes në marrëdhëniet me të gjitha shtetet tjera edhe me Republikën e Turqisë. Jemi mirënjohës për njohje, për përkrahje në planin ndërkombëtar në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, tani kemi aplikuar për Interpol në këtë vit dhe kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos ndërhyjmë në punë të brendshme të ndonjë shteti tjetër edhe të Republikës së Turqisë, ka thënë Haradinaj.