Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lartë punën e qeverisë në mbledhjen e sotme, gjatë diskutimit për Draftin e Raportit të Punës së Qeverisë të Kosovës për periudhën shtator 2017 – korrik 2018. Ai ka thënë se ky raport vërteton një dinamikë të qeverisjes që, sipas tij, Kosova nuk e ka pasur të paktën që nga shpallja e pavarësisë.
“Raporti është i sistemuar në tri pjesë, të arriturat e qeverisë, të ministrive veç e veç, pjesa e 75 projektligjeve që u janë dërguar Kuvendit, 91 akte nënligjore të nxjerra nga ministritë. Janë 600 vendime të nxjerra nga qeveria. Pas aprovimit nga qeveria, raporti i punës do t’i dërgohet edhe Kuvendit. Ajo që ky raport vërteton është një dinamikë e punës që nuk ka qenë më herët. Është një dinamikë e vetmja e tillë, që nga pavarësia të paktën. E bëmë pak vetëlavdërim, por ashtu është” ka theksuar Haradinaj.