Kryeministri Haradinaj e njoftoi kryeministrin bullgar për proceset në Kosovë, duke vlerësuar lartë mbështetjen e Bullgarisë për rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me theks në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës. “Që nga marrja e kryesimit të Presidencës së BE-së, Bullgaria ka luajtur rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor me këtë organizatë dhe për këtë ne do t’i jemi gjithmonë falënderues shtetit bullgar dhe kryeministrit Borissov”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke kërkuar ndihmën e mëtejme të Bullgarisë, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka nevojë të ketë një mik siç është Bullgaria në procesin e liberalizimit të vizave dhe të integrimit në BE dhe në NATO, por edhe në synimin për t’u anëtarësuar në INTERPOL dhe EUROPOL. Nga ana tjetër, Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov, tha se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e synimeve të saj për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike.