Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Viktimat e dhunës seksuale duhet të kenë trajtim të dinjitetshëm në shoqëri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Viktimat e dhunës seksuale duhet të kenë trajtim të dinjitetshëm në shoqëri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë sot në konferencën me temën “Përtej Mbështetjes Financiare”, të organizuar nga Fondacioni për Zhvillim të Komunitetit në bashkëpunim me “ Kosova Women for Women”. Haradinaj në këtë konferencë tha se çështja gjinore në Kosovë është në një proces më të vonuar të barazisë gjinore, duke shtuar se është një diferencë e madhe me atë se si janë trajtuar dhimbjet e luftës së fundit në Kosovë. “Çështja gjinore në vendin tonë është në një proces, ose në një fazë pak më të vonuar të barazisë gjinore. Ndërsa kur kemi të bëjmë me dhimbjet e luftës edhe këtu është një diferencë e madhe se si janë trajtuar këto dhimbje”, tha kryeministri Haradinaj në hyrje të fjalës së tij. Duke theksuar angazhimin e institucioneve në këtë temë, kryeministri Haradinaj vlerësoi se edhe pse institucionet e Kosovës nuk janë aq të përgatitura dhe jo me aq njohuri dhe përvojë në këto tema, janë duke e dëshmuar gatishmërinë e tyre që kjo temë e dhimbjes dhe e plagës së luftës ta fitoj të drejtën e vet, një e drejtë që nuk është vetëm materiale dhe ligjore, por më shumë se aq.

“Dua t’ju siguroj se institucionet e vendit e ndjejnë pjesën e tyre të përgjegjësisë, mirëpo kjo temë kërkon angazhimin e të gjithëve. Dhe, pa një mobilizim të të gjithëve vështirë se do ta përmbyllim me sukses këtë proces, që të mund t’ju ofrojmë viktimave të dhunës seksuale trajtim të dinjitetshëm në shoqëri”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar  se ajo që është në natyrën e punës së ekzekutivit, si zbatues i obligimeve që burojnë nga legjislativi, do ta ketë vëmendjen e nevojshme. Iliriana Gashi, udhëheqëse e “Kosova Women for Women”, tha se konferenca e sotme e titulluar “Përtej mbështetjes financiare”, synon të shkoj një hap më tutje në përkrahje të personave të mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës, por edhe e grupeve të tjera të margjinalizuara. Në këtë konferencë, të pranishëm ishin edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

“KB Krusha” i ka quajtur tendencioze dhe të pabaza pretendimet e ministrit, Faton Peci

Kooperativa Bujqësore “KB Krusha” i ka quajtur tendencioze dhe të pabaza pretendimet e ministrit, Faton …