Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot ka paraqitur në Kuvend dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar, me të cilin ka udhëhequr nga 11 janari i vitit 2022. Dorëheqja e Kovaçevskit bazohet në Ligjin për zgjedhje dhe punën e Qeverisë, me qëllim formimin e Qeverisë teknike, e cila do të funksionojë 100 ditë, apo deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj. Gjatë dorëzimit të dorëheqjes në Kuvend, Kovaçevski ka thënë se ai sërish do të kthehet në këtë post, pas zgjedhjeve parlamentare. “Më 9 maj Qeveria sërish do të udhëhiqet nga unë sikur edhe shumica parlamentare, e cila do të sigurojë anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, ka deklaruar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate. Ai ka thënë se zgjedhjet e 8 majit do të jenë “betejë mes partive politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit.
