Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ndodhet për vizitë dyditore gjatë së cilës do të ketë edhe takime bilaterale. Në një prononcim për gazetarët, Rama theksoi se “në ditët e sotme, mënyra për të qeverisur vendin përcaktohet nga mënyra se si ne e përqafojmë të renë sepse çdo ditë dalin gjëra të reja”. “Kjo epokë e re e gjërave të reja po sfidon mënyrën tonë të qeverisjes. Si rrjedhojë, sa më shumë të ndër-veprojmë me njëri-tjetrin dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më shumë mund ta përdorim teknologjinë në një mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Lidhur me punimet e samitit, Rama theksoi se “ishte hera e parë për mua dhe sapo mbërrita ndoqa seancën. Dukej shumë e këndshme. Organizim shumë i mirë dhe me aq sa e ndoqa, m’u duk shumë interesant në lidhje me temat që trajtohen”. Pyetjes pse mendoni se bashkëpunimi global duhet çuar përpara për probleme të ndryshme me të cilat përballet bota sot, Kryeministri Rama u shpreh se “gjithnjë e më shumë po përballemi me situata dhe ngjarje që janë më të fuqishme se ne, nëse i adresojmë në mënyrë të izoluar si vende dhe kontinente”. “Si të tilla ato kërkojnë veprime gjithëpërfshirëse dhe shpresojmë t’i realizojmë këto para se katastrofat të na fshijnë nga faqja e dheut”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. (ATSH)
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …