Duke folur për krizën me energji elektrike dhe rritjen e çmimeve në nivel global, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se vendi nuk e prodhon ende të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet. Gjasat janë që çmimet të vazhdojnë të jenë marramendëse, por nënvizon se ata janë të vendosur për të mbrojtur konsumatorin. Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet, pasi prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë! Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjetike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht, ka shkruar Edi Rama.