Republika e Kosovës ka kornizën më të avancuar ligjore në fushën e të drejtave gjuhësore. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve përcaktojnë që gjuha shqipe dhe serbe gëzojnë statusin e barabartë të gjuhëve zyrtare, përderisa gjuhët e komuniteteve tjera si gjuha boshnjake, turke dhe rome gëzojnë statusin e gjuhëve zyrtare dhe gjuhëve në përdorim zyrtar në komuna. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e Konferencës së pestë vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve të Gjuhëve, organizuar nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët pranë Zyrës së Kryeministrit, me temën “Shumëgjuhësia: vlerë dhe/apo obligim”. Duke theksuar se Qeveria vazhdon t’i jap mbështetje angazhimeve të Komisionerit për Gjuhët në Kosovë.
Në fjalën e tij, para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se është vlerë njerëzore të respektohet gjuha e tjetrit. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë disa iniciativa në mënyrë që të zbatohet Ligjit dhe të arrihet liria e gjuhëve. Aktualisht është duke u punuar në koncept dokument për formimin e njësisë për përkthime, njësi kjo që do të udhëheqë procesin e përkthimit të legjislacionit qysh nga faza e parë e përgatitjes dhe do të përfshijë redaktimin dhe lekturimin, si përpjekje që të arrihet standard më i lartë i përafërimit dhe harmonizimit të legjislacionit shumëgjuhësh në Kosovë.
Kryeministri Haradinaj shtoi se Qeveria ka përgatitur dhe aprovuar planin aksional për adresimin e rekomandimeve të raportit të vendit 2018 të Komisionit Europian, i cili ndër të tjera parasheh edhe miratimin e strategjisë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore. Në këtë konferencë ndërkombëtare që organizohet për të 5-tin vit radhazi, morën pjesë Slavisha Mladenovic, Komisionieri i Gjuhëve në Kosovë, komisionerë nga vendet të ndryshme të botës, si dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.