Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ka mbledhur kryesinë e partisë së tij për t’i njoftuar për situatën politike në vend, veçmas pas aplikimit të taksës për produktet nga Serbia dhe Bosnja që importon Kosova. Haradinaj përmendi taksën prej 100 për qind, për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës, duke thënë se “kjo taksë do të hiqet vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, se përndryshe ne e kundërshtojmë vetveten”. “Serbia ka me u munduar me testu qëndrueshmërinë tonë, duke na provokuar në forma të ndryshme, së pari duke u thirrur në katastrofë humanitare për serbët e Veriut, e që në të vërtetë nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ajo do të mundohet të vë edhe barrikada në Veri, siç është e njohur me forma të tilla, po, prapë nuk do të ketë sukses. Të gjitha këto variante janë rrugë të gabuara nga ana e Serbisë nëse do t’i ndërmarr. Rruga e vetme e drejt është që ta njohë Kosovën si shtet”, tha Haradinaj. Me tej Haradinaj ka thënë se “sa i përket BE-së, që po thirret në atë se nuk e kemi respektuar marrëveshjen e CEFTA-së është gabim, sepse ne kemi vepruar sipas ligjit, kur e kemi vënë këtë taksë. BE-ja gjithashtu po na kritikon për atë se nuk i kemi kërkesat e qarta. Këtë herë ne e kemi vetëm një kërkesë, ta njeh Serbia Kosovën”. Kryeministri foli edhe për mundësinë e ngritjes së çmimeve në treg. Ai tha se çmimet nuk guxojnë të rriten. “Më vjen keq prej sipërmarrësve, por këtë gjendje do ta kalojmë së bashku dhe nuk duhet ta keqpërdor askush këtë situatë, sepse nuk do të jetë mirë për askënd”, tha ai. Më tej i pari i Qeverisë tregoi se Kosova është në proces për liberalizimin e vizave, që beson se do të ndodh së shpejti. Krejt në fund Haradinaj tregoi se për të gjitha këto vendime e ka mbështetjen e koalicionit qeverisës.
Kontrolloni gjithashtu
Dhjetëra të vrarë nga dhuna sektare në Pakistan
Dhuna sektare mes sunitëve dhe shiitëve në Pakistan, ka shkaktuar dhjetëra të vrarë. Gjatë tri …