Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mbajtur konferencë për medie ku ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend. Ai ka four edhe rreth takimit të tij me këshilltarët kryesorë të kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg. Haradinaj gjithashtu ka treguar edhe përmbajtjen e diskutimit që kishte me dy këshilltarët e kancelares gjermane. “Ne kemi vizita të vazhdueshme, pozicioni është i qartë. Dialogu duhet të vazhdojë, taksa është pengesë, hiqeni taksën”, është shprehur Haradinaj duke komentuar qëndrimet e këshilltarëve të Merkelit. Ai është shprehur se ky është qëndrim si çdo palë tjetër, nuk ka ndonjë ndryshim si në pozicionet e Londrës dhe të të tjerëve.
Tutje, Haradinaj ka thënë se Serbia po dëshiron të paraqesë kushte për t’u kthyer në dialog. Ai ka theksuar se e dinë që bllokimi i dialogut do të ketë pasoja për Kosovën mirëpo në këtë rast viktima është vendi ynë.“Unë s’kam kërkuar garanci kam kërkuar kontratë. Ne po kërkojmë një kontratë me elemente përbërse të saj përfshirë edhe çështjet ekonomike në të. Nuk e ka blloku Kosova dialogun mos harroni, serbët kanë thënë pa u heq taksa nuk shkojmë në dialog”, ka deklaruar kryeministri. Sa i përket veriut të Mitrovicës, Haradinaj ka thënë se Policia e Kosovës është prezente atje dhe dëshiron që banorët e kësaj pjese të ndihen të sigurt në vendin e tyre.