Në ditën kur u njoftua se Gjykata Speciale ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkëbisedoi me të gjithë avokatët dhe bashkë-avokatët e ekipeve mbrojtëse të shqiptarëve të akuzuar para Gjykatës Speciale në Hagë. Sipas njoftimit bëhet e ditur se gjatë takimit ka zgjatur gati dy orë, janë diskutuar kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Kosovës. “Takimi u mbajt si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mos-marrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”, thuhet në njoftim.
