Zëvendës-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka deklaruar për mediet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së paralajmëruar në Tetovë nuk ka kërkuar ta takojë Ali Ahmetin, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, udhëheqësin e partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni. Kurti të premten do të pritet në Shkup nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu nga Lëvizja Demokratike dhe në Tetovë nga Bilall Kasami, kryetar i kësaj komune dhe i Lëvizjes Besa. Vizita e shefit të Qeverisë së Kosovës në Maqedoninë e Veriut shihet si përpjekje për thellimin e bashkëpunimit me opozitën shqiptare në shtetin fqinj. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë. Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani nga radhët e BDI-së, tha se nuk është informuar zyrtarisht lidhur me vizitën e Albin Kurtit, pasi nuk është duke ardhur zyrtarisht si kryeministër.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …