Kryeministri Edi Rama deklaroi se “negociata që lidhen me zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk ka, se nuk kemi asnjë mundësi të negociojmë Kushtetutën e Shqipërisë”. Në një konferencë për shtyp me gazetarët, ai theksoi se “miqtë gjermanë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar, shumë e mirëseardhur, por negociata nuk ka që të jemi të qartë, në kuptimin e një procesi negociatash që lidhet me 30 qershorin”. “E bëmë një marrëveshje në 2017, por nuk e negociuam Kushtetutën e Shqipërisë, nuk e pranuam dhe e kam refuzuar që në sekondën e parë dhe deri në sekondën e fundit që të shtyjmë zgjedhjet përtej afatit kushtetues, në mos gabohem u shtynë një javë”, – nënvizoi Rama.
Sipas tij, këto zgjedhje nuk shtyhen dot, se kryetari i shtetit mes 23 dhe 30 ka zgjedhur datën 30, e drejta e tij. “Pra zgjedhjet do mbahen në 30 qershor dhe në këtë pikë unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, pasi është Kushtetuta e Shqipërisë”, – tha ai. Kreu i qeverisë u shpreh se “nga ana tjetër kam nderin e madh të flas në emrin e një shumice që sot është shumicë në parlament dhe në popull. Ajo shumicë nuk negocion dot Kushtetutën dhe është në drejtën e vet për të kryer një proces të vetin”.