Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i gjetur ngushtë me lëshimet që i ka bërë Greqisë, me pamundësinë e mbajtjes së gjendjes në kontroll për shkak të opozitës virulente, mllefin kësaj radhe e ka derdhur mbi politikanët e Kosovës. Ai ka folur për shfuqizim të Gjykatës Speciale dhe mos ratifikimin e Demarkacionit duke konstatuar se Kosova paska bërë një problem pa qenë hiq. Kosova ka arritur të vendos në pikëpyetje marrëdhëniet me të gjithë ata që e ndihmuan të bëhet shtet. Kur foli për Gjykatën Speciale dhe gjithë skenarin që u zhvillua së fundmi, Rama, zgjodhi lopën, përmes së cilës ta shprehë atë që, sipas tij, kanë dashur ta bëjnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj. Mos e bëni Kosovën fëmijën e mohuar të atyre që e lindën si shtet, ka thënë Rama. Kosova duhet të përqendrohet në dialogun me Serbinë, (ashtu sikur bëri ai me Greqinë duke ia plotësuar jo vetëm kërkesat por edhe huqet) dhe duhet të kërkojë me këmbëngulje të zgjidh këtë nyje historike. Krijimi i problemeve tjera që përkthehet pastaj në paralizë të institucioneve, në qeverisje që nuk funksionon, në një kaos politik brenda që është fatal. Nervozizmi e Ramës kësaj radhe i ka kaluar caqet, për faktin se ai vetë si gati të gjithë liderët shqiptarë, janë pjellë e servilizmit historik ndaj të huajve. Sa e ligë, po aq e mjerë është kjo gjendje, kur i zënë ngushtë nga problemet e krijuara në shtëpi, kritikon ata për të cilët e di fare mirë se edhe po të pëlcasin nuk bëjnë dot më shumë, jo sepse nuk dinë, jo sepse janë aq të këqinj, por sepse janë peng i politikës pro serbe të BE-së ndaj Kosovës. Këtë e di fare mirë, Edi Rama, por ja që kësaj radhe ka gjetur fajtorë tre liderët e Kosovës, por jo BE-në e cila i ka vënë në geto speciale dhe në izolim vetëm shqiptarët e Kosovës. Ai e di fare mirë se të gjitha shtetet e rajonit kanë probleme të pazgjidhura me demarkacionin, por kësaj radhe ka gjetur t’ i mëshojë samarit e jo gomarit. Sa për lopët e mira, të mbushin kupën por derdhin qumështin është mirë t’i kujtojë tre emra të tjerë, Sajmirin Ilirin dhe Kryemadhen, të cilët qumështin, jo vetëm ia derdhëm po ia hodhën në surrat.
Me çfarë të drejte Edi Rama e mohon lindjen e Kosovës si shtet nga lufta dhe rezistenca e popullit shqiptar, kur dihet historikisht nga ne e nga të gjithë, se për këtë shtet është derdhur rrëke gjaku i qindra mijëra shqiptarëve prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999. Për këtë shtet, nuk është derdhur asnjë pikë e gjakut e atyre që na kanë ndihmuar të çlirohemi, por ata kurrë nuk e kanë mohuar gjakun e derdhur të shqiptarëve për krijimin e Shtetit të Kosovës, dhe në kohë dhe rrethana të caktuara historike, kanë vepruar me drejtësi e humanizëm. Me këtë qëndrim injorues e përbuzës Rama nuk tregon asgjë më shumë sesa arrogancë, frikë prej së nesërmes për veten, partinë e klanin e tij, pasiguri për ta mbajtur timonin që po ia rrezikojnë, jo Kosova kurrsesi, jo edhe vetëm kundërshtari kokëfortë, Sali Berisha, por shumë më vëllami i tij politik, Ilir Meta me gruan e tij dhe shumë zyrtarë të komprometuar e të korruptuar. (RKL)