Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli për bilancin e sukseseve dhe dështimeve gjatë vitit 2017

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij të fund-vitit ka thënë se “çështja e Sajmir Tahirit na ka vënë në pozitë të vështirë, nuk ka qenë një ngjarje e mirëseardhur, pavarësisht se duhet të presim deri në fund për të kuptuar të vërtetën dhe për të thënë nëse ai është i fajshëm apo i pafajshëm. Ndikoi kanabisi në shkarkimin e zotit Tahiri? Fare Zero”. Pas zgjedhjes së Arta Markut si Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme, Rama tha se opozita po tregon se është ende kundër reformës në drejtësi, ndërsa komentoi edhe gjestin e Monika Kryemadhit në sallën e kuvendit. “Është LSI, e ka votuar apo jo? Të gjithë, po. Po pse nënqeshët? Sepse i kishin këmbët në një këpucë, prandaj gjuajnë me këpucë sot. LSI-ja është një këpucë që vishet sipas stinës, në këtë rast. Ilir Meta është politikan, Monika është thjesht e shoqja e Ilir Metës, asgjë më shumë”, u shpreh Rama.

Për përplasjen me Presidencën, pas votimit të rezolutës kundër Trump në OKB, Rama bëri këtë koment: “Letra është njësoj si një heqje këpuce, po në këtë rast me letër. Është një akt qesharak. Është e pabesueshme, nuk e besoj dot që e ka bërë Ilir Meta. Absolutisht nuk i trembem një reagimi të Washingtonit, sepse unë kam shumë respekt për të dhe SHBA-të” Ndërkohë, dekretimi i Helidon Bendos në krye të SHISH, sipas kreut të qeverisë do të jetë thjesht një çështje kohe. “S’kam bërë ndonjë përpjekje për ta shpjeguar me thënë të drejtën, sepse ka marrë kohë për t’u menduar, ka gjithë kohën që të mendohet, ndërkohë që kreu i ri i shërbimit është në punë dhe praktikisht është Drejtori i Shërbimit”, u shpreh Edi Rama. (Top Channel)

Kontrolloni gjithashtu

Ministri, Ejup Maqedonci, diskutoi  përforcimin e sigurisë kombëtare me NATO-n për stabilitet dhe integrime

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aspektit të sigurisë për …