Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar. Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Ambasadorin Sakar me punën dhe funksionimin e sistemit prokurorial, në veçanti të Prokurorit të Shtetit, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion në përmbushjen e misionit të tij në forcimin e sundim të ligjit. Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi dhe Ambasadori Sakar, kanë biseduar për mbrojtjen e të drejtave të investitorëve turk në Republikën e Kosovës si dhe, për rritjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet institucioneve të drejtësisë kosovare dhe atyre turke në luftimin e dukurive dhe veprave të ndryshme kundërligjore. Ndërkaq, Ambasadori Sakar ka vlerësuar punën e të cilën është duke e bërë Prokurori i Shtetit, me ç’rast ka konfirmuar mbështetjen e shtetit që përfaqëson në forcimin e sistemit prokurorial. Në fund të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka falënderuar Ambasadorin, Çağrı Sakar, për ndihmën që shteti turk në vazhdimësi e ka dhënë dhe vazhdon ta japë për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.