Në 17-vjetoriin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Tirana, është veshur me ngjyrat simbolike të shtetit më të ri në Evropë. Në shenjë solidariteti dhe vëllazërie mes dy vendeve, një flamur gjigant i Kosovës është shpalosur në qendër të Tiranës, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese. Në të njëjtën kohë, edhe flamuri kuqezi ka valuar pranë tij, si një simbol i përbashkët i historisë dhe lidhjeve të pandashme mes shqiptarëve të të dyja shteteve. Përveç flamurit, janë organizuar aktivitete të ndryshme për të shënuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Qytetarë të shumtë kanë ndarë imazhe dhe video të këtyre momenteve, duke përjetuar me emocion këtë ngjarje historike. Festimet kulmojnë më 17 shkurt, kur në të dy kryeqytetet shqiptare, në Prishtinë dhe në Tiranë, do të mbahen aktivitete madhështore për të nderuar këtë ditë të shënuar. Ky akt simbolik thekson rëndësinë e unitetit dhe miqësisë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
